Analiza/Qëndrimi i Ramës për Haradinaj, më mirë të mos fliste fare!

Nga Mili Xhani

Gjatë 24 orëve të fundit në Tiranë dhe në Prishtinë shkaktoi habi heshtja e kryeministrit Edi Rama për thirrjen në Hagë të Ramush Haradinaj dhe dorëheqjen e tij nga posti i kreut të qeverisë së Kosovës. Në orën 14:00 të së shtunës, Edi Rama u kujtua të thotë diçka për ngjarjen që ka shqetësuar shqiptarët në çdo cep të botës ku ata ndodhen.

“Këto ftesa në radhë nga Haga për protagonistët e UÇK, janë një sfidë e re e çdonjërit prej të thirrurve, në vazhdën 20-vjeçare të betejës së pasluftës, për të provuar deri në fund pafajësinë e tyre. Por janë edhe një sfidë e papërfunduar kombëtare në anën e duhur të historisë”,– shkroi Edi Rama në një postim në Twitter.

Pasi e lexon dhe rilexon qëndrimin e Ramës nuk mund të mos mendosh: Ç’pate që fole! Më mirë të mos kishte reaguar fare. Të gjithë ata që thanë pse nuk reagon u penduan që i kërkuan kreut të qeverisë shqiptare të mbante qëndrim për një çështje që as e ka për zemër dhe as e ka kuptuar ndonjëherë. Rama në Kosovë u njoh vetëm pasi u bë Kryeministër dhe raportet e tij me Haradinaj dihet se këto vite kanë qenë më shumë se jo normale. Por teksa i kërkohej një reagim për atë që po ndodhë në Kosovë, qytetarët kujtonin se i drejtoheshin Kryeministrit të Shqipërisë që ka detyrë të mendojë dhe për shtetin tjetër shqiptarë dhe jo individit Edi Rama. Dhe Edi Rama reagoi si shqiptar tipik që edhe në ditë të tilla nuk ja harron sherret dhe mëritë Ramush Haradinaj. Aq shumë e ruan idhnimin sa harroi të përmendte në deklaratën e tij dhe emrin e Ramush Haradinaj, kryeministrit të gjysmës tjetër të popullit shqiptar.

Megjithatë ajo që po ndodh në Kosovë nuk ka lidhje vetëm me Ramush Haradinaj si individ. Thirrja për herë të tretë e një ish-komandanti të UÇK-së që ka fituar dy herë pafajësinë lë shijen e keqe të një komploti dhe pabesie. Dhe pisllëku ndërkombëtar që duan copa nga trupi i shtetit të Kosovës. Ndaj në Prishtinë, Tiranë, Shkup dhe kudo ku ka shqiptarë thirrja e Haradinaj në Hagë ngjan jo vetëm si fyerje ndaj kryeministrit të Kosovës, por fyerje ndaj luftës së UÇK dhe kombit shqiptar.

Është nga ato momente ku diplomacia jonë bashkë me atë të Kosovës duhet të vihet në lëvizje, jo për të mbrojtur Haradinaj apo këdo ushtarakë të lartë të UÇK-së që ka marrë pjesë në luftë, por për të mbrojtur kauzën e tyre. Thirrja e gjithë drejtuesve të luftës, për të disatën herë pasi janë nxjerrë të pafajshëm synon të bëjë pisë pjesën më të ndritur të historisë së Kosovës dhe Shqipërisë. Nëse me akuza si këto ndaj Haradinaj hidhet baltë mbi gjithë luftën, Kosova do të humbasë shumë më shumë sesa disa zyrtarë që po thirren në Hagë. Rreziku është që bashkë me ta të humbasin parimet dhe e drejta që fitoi nga lufta e UÇK duke e etiketuar nga organizatë çlirimtare në një organizatë të akuzuar për krime lufte. Është fiks e njëjta që kërkon Serbia që prej vitit 1997 kur u shfaq për herë të parë UÇK.

Ndaj nga Kryeministri i Shqipërisë edhe nëse ka probleme personale me Ramush Haradinaj dhe të tjerë në Prishtinë, pritet më shumë maturi dhe më shumë angazhim për të mbrojtur historinë e Kosovës dhe Kombit.

Kryeministri shqiptar Rama duhej të dilte në konferencë të jashtëzakonshme, jo vetëm si homolog i atij kosovar, por si shqiptar që po i cënohet Kombi.