Projektligji për karburantet, Danaj: Një përqindje do të shtohet në çmimin për litër të naftës

Eksperti i ekonomisë Vjoldi Danaj i ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora komentoi projektligjin e ri për depozitat e karburanteve.

Danaj u shpreh se kjo është një strategji jo e menduar mirë nga qeveria për vendin që sot për sot ka çmimin më të lartë të karburanteve, sepse do të ketë një përqindje që do të shtohet në çmimin për litër të naftës.

Danaj: Që të dyja këto çmime, besoj se do të ndikojnë drejtpërdrejt tek çmimi i naftës. Qoftë e para që ka të bëjë me realizimin e rezervave të sigurisë, sidomos kur mendojmë se ato mund të jenë të dhëna tek një nënkontraktor i tretë. Kjo do të thotë që të gjitha këto investime që do të bëhen, qoftë për realizimin e rezervave të nevojshme të depozitave, por qoftë edhe për çmimin e blerjes do të thotë se që në momentin e parë të krijimit të një agjencie do të kemi një rritje çmimi. Ashtu siç është specifikuar edhe në nenin 17 që shumë kolegë të mijtë e kanë përmendur, atje theksohet se edhe çmimi i blerjes do të ndikohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga të ardhurat që do të jenë nga shitja e karburantit. Pra do të ketë një përqindje që do të shtohet në çmimin për litër të naftës. Është një strategji kjo, si edhe shumë të tjera, të menduara jo shumë mirë, që vazhdojnë të përkeqësojnë jetesën e qytetarëve. Ne sot në këtë moment jemi një nga vendet me çmimin më të lartë të karburantit. Imagjinoni tani edhe këto shtesa që do t’i bëhen karburantit të naftës, qoftë për rezervat e sigurisë, por qoftë edhe të pompës. Sepse sot agjencia që merret me kontrollin e pompave ka një përfitim rreth 2 milion euro në vit. Por ama nëse ky kontroll do t’i jepet një koncesionari atje ishte e specifikuar që fitimi në këto vite do ishte 60 milion euro, që do të thotë se fitimi do të ishte më shumë se 2 milion fitimi në vit. Ky fitim do ndikojë direkt në çmim sepse nga do merret ky çmim.

Gazetarja: Në këtë gjendje që është shërbimi i kontrollit të pompave nuk mund të menaxhohet nga shteti?

Danaj: Unë e shoh të panevojshëm sepse në çdo vend të botës kur flitet për qytetarët, kur flitet për kujdesin ndaj tyre është shteti ai që garanton deri diku siguri. Nuk duhet të mendojmë ne se nëse do t’i jepet privatit siguria do të jetë më e lartë, jo. Këtu mund të hapen rrugë të tjera për korrupsion, sepse nuk është e thënë 100% se privati do garantojë kontrollin siç kërkohet. Shteti mund të vazhdojë ta përmirësojë më shumë këtë shërbim, por nuk duhet ta japë me koncesion. Në këtë moment që ne flasim kjo agjencia pjesën më të madhe të fitimit e ka nga kontrolli i karburantit. Nëse ne ja heqim edhe këtë fitim që ka atëherë ku do të shkojë kjo agjenci. Do ketë sërish rritje të përkeqësimit të ekonomisë.