Merkel, kritika ndaj Trump: “Qëndrimet raciste në kundërshtim me fuqinë e Amerikës”

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në konferencën vjetore me gazetarët, tha se do të qëndrojë në postin e kancelares deri në vitin 2021, pra deri në përfundim të mandatit. Në këtë mënyrë, Merkel i jep fund spekulimeve për mundësinë e largimit të parakohshëm nga posti i kancelares. Merkel u përgjigj edhe në pyetjen rreth sulmeve të fundit të presidentit Donald Trump ndaj katër kongresisteve demokrate në SHBA.

“Unë distancohem qartë nga këto deklarata dhe ndjej solidaritet ndaj grave të sulmuara”, theksoi Merkel. “Njerëzit me kombësi shumë të ndryshme kanë kontribuar në forcën e popullit amerikan”, vijoi Merkel duke shtuar se deklaratat e Trump janë në “kundërshtim me fuqinë e Amerikës”.

Në këtë mënyrë, Merkel i bashkohet valës së kritikave ndaj Trump, për shkak të një mesazhi të tij në Twitter ku shkruante se kongresistet e Partisë Demokratike duhet të “kthehen në vendet prej nga kanë ardhur dhe të ndihmojnë këto vende krejtësisht të rrënuara nga krimet”. Konferenca vjetore për mediat është një ngjarje tradicionale në politikën e Berlinit, e cila filloi në kohën e ish-kancelarit Helmut Kohl.