Kukësi nën vëzhgimin e kamerave

Në qytetin e Kukësit janë instaluar kamera sigurie. Sipas Policisë së Shtetit, ky sistem monitorimi do të funksionojë 24 orë dhe kontrollohet nga policia vendore për të evidentuar të gjitha shkeljet që bëhen në rrugët e qytetit. Kukësi është i vetmi qytet i pajisur me një sistem monitorimi me kamera për të gjitha akset dhe kryqëzimet kryesore të tij. Kjo është mundësuar falë bashkëpunimit edhe me biznesin.

I gjithë sistemi kontrollohet 24 orë nga salla operative e policisë vendore të Kukësit. Në ceremoninë e inagurimit ishin zv/drejtori i përgjithshëm i policisë, Gjovalin Loka dhe drejtori i policisë lokale, Zef Laska. Sistemi i monitorimit, i vendosur në pikat kyçe të qytetit është fjala e fundit e teknologjisë.

Është tërësisht i pavarur nga energjia elektrike përmes sistemit të paneleve diellore dhe internetit me wireless që transmeton nga secila kamerë në sallën operative të policisë. Në këtë mënyrë sigurohen pamje të detajuara për qarkullimin rrugor dhe shkeljeve që mund të bëhen në rrugët e qytetit të Kukësit.