Gjyqi publik i fruta-perimeve

Nga Prof. Dr. Seit Shallari –
Perime dhe fruta konsumohen gjatë gjithë vitit por kjo histori përsëritet pikërisht në pranverë e verë në kohën kur produktet e stinës dalin në tregun e vëndit dhe atë të huaj. Përse kjo histori nuk ndodh në dimër kur çmimet e fruta-perimeve të importit rriten disa herë? Pak vënde mesdhetare si Shqipëria kanë luksin e bollëkut të fruta perimeve me shije unike dhe me çmim deri në disa herë më të ulët krahasuar me vëndet e tjera (shikoni në internet). Në tregun vëndas, gjenden edhe produkte importi, ato janë me të pashme dhe më të shtrenjta. Por nuk shahen e përgojohen, ndërkohe që është e sigurtë se perdorimi i kimikateve në vëndet e rajonit dhe BE është më i lartë se në Shqipëri.
Situata më kujton efektin që pati në Francë dhe vëndet e tjera të BE media mbi publikun në rastin e “lopës së çmendur”, në vitin 1997. Për disa muaj, u braktis masivisht konsumi i mishit të viçit nga frika se njerzit nuk donin të kishin fatin e tmerrshëm të të sëmurëve mendorë që shikonin çdo ditë në ekrane. Kriza (frika nga bifteku) mori përmasa europiane, media reflektoi por u desh shumë kohë të bindej konsumatori se paniku kishte qënë i pa justifikuar, ndërsa dëmet financiare ishin kolosale. Aktualisht, media Britanike prezanton studime dhe parashikon efektet e pritëshme mbi shëndetin e njerëzve (rritjen e sëmundjeve të zemrës dhe enëve të gjakut) për shkak të rritjes së çmimit e uljes së konsumit të frutave dhe perimeve mbas daljes nga BE.
Në rastet kur shfaqet një sëmundje qoftë edhe gripi, njerzit i mbajnë sytë dhe veshët nga mjekët dhe bëjnë shumë mirë. Mediat, ftojnë mjekët dhe ekspertët për të komunikuar me njerzit dhe shumë mirë bëjnë. Për të gjykuar cilësinë e frutave dhe perimeve, çështja ndryshon. Të gjithë shfaqin aftësitë dhe profecinë e tyre. Mjafton që dikush të ndalojë në anë të rrugës ku shiten fruta perime, të nxjerrë një biçak, të presë një frut dhe komentojë: ka deformime, nitrite, nitrate, hormone, helm dhe fantazia vazhdon.
Këta persona kushdoqofshin me ose pa dashje “infektojnë e ndotin” opinionin publik. Nqs i referohemi rregullave dhe parimeve shkencore, në kët rast i) nuk vërtetohet origjina e produktit, (ii) mostra nuk është përfaqësuese dhe (iii) nuk provohet niveli i rriskut për shëdetin. Por edhe nqs ka diçka të vërtetë nuk mund të përgjithësohet rasti i disa frutave për një fermë ose një zonë ku prodhohen mijëra tonelata ose të akuzohet një sektor i ekonomisë së vëndit.
Informacioni është i besueshëm kur analizohet mostra përfaqësuese sipas një metodike shkencore ose të provuar. Aktualisht, konstatimet e drejta ose te pabazuara përdoren pa të drejtë për gjithe popullatën që përfaqësohet nga miliona e miliarda (kokrra, kg ose ton) fruta e perime të rritura me shumë punë e mundim nga më shumë se 400 000 familje Shqiptare. Por a mund të fajsohet ose akuzohet i gjithë komuniteti (popullata) për faj të një ose disa individëve? Në rastin e njerëzve kjo quhet “campaign of genocide” ose fushatë genocidi.
Infomacioni amplifikohet si asnjëherë më parë nëpërmjet rrjeteve sociale duke krijuar panik e frikë, refuzim në përgjithësi të produkteve vetëm nga pamja e një fruti i cili mund të jetë deformuar ose është me probleme për shkak të breshërit, goditjeve nga i nxehti apo një mijë arsye të tjera. Thashethemnaja ka krijuar një lloj “foodofobie” ose frike nga ushqimi me fruta-perime, e vështirë të shërohet sidomos tek fëmijët.
Histori të tilla krijojnë panik dhe pasiguri tek konsumatori vëndas i cili refuzon produktet, kjo çon në dekurajimin e falimentimin e fermerëve, uljen e sasisë së fruta-perimeve në treg në sezonin pasardhës. Në fund konsumatori prap paguan më shtrenjtë produktet e importit. P.sh. banorët e Kukësit kanë frikë të konsumojnë produktet nga zonat e tjera të Shqipërisë por vetëm ato lokale-raporton një gazetar në lajmet qëndrore të një TV kombëtar pak ditë më parë. Lind pyetja, çfarë ndryshimi kanë produktet e Kukësit krahasuar me zonat e tjera të Shqipërisë? Sigurisht, janë të njëjta dhe shumë të mira. Duket sheshit se padija krijon padashje konfuzion dhe panik pa shkak por me pasoja të rënda edhe për shëndetin e njrëzve që konsumojnë më pak fruta-perime, jo për faj të tyre.
Problemi i ndikimit të cilësisë së produkteve bujqësore tek shëndeti i njerzëve është investiguar prej dekadash dhe njohja e krijuar për shumë substanca të dëmshme mbi njerzit ende nuk është e plotë. Standartet e sotme bazohen në njohjen që ne kemi aktualisht dhe sigurisht nesër mund të jetë ndryshe. Nuk është çudi të ndalohen substanca të cilat sot përdoren për fakt të mosnjohjes së efektit të tye mbi shëndetin. Ndaj dhe standartet përmirësohen në vazhdimësi.
Produktet e stinës në Shqipëri rriten në kushte tokësore-klimatike nga më të mirat në Planetin tonë dhe janë më cilësore për faktin se bimët zhvillohen në normalitetin natyror biologjik dhe fermeri Shqiptar ende përdor kimikate shumë më pak krahasuar me vëndet e zhvilluara.
Substancat më të rrëzikshme në produkte janë mbetjet e pesticideve dhe metalet e rënda të cilat nuk dallohen me sy as me metoda të sajuara. Aparate ose metoda të thjeshta që përdoren mund të japin një ide, kur di të lexosh dhe interpretosh informacionin. Pergjigjen e jep vetëm laboratori dhe interpretimin e drejtë e bëjnë ekspertët që njohin standartet dhe efektet e substancave të dëmshme.
Siguria ushqimore ose “ushqime të sigurta për njerzit” është një problem mbarë botëror. Ai fillon me industrializimin e bujqësisë, atëherë kur rritja e bimëve dhe kafshëve devijuan nga regjimi natyror. Në një këndvështrim historik është fakt se bujqësia ja ka dalë të sigurojë ushqim më të bollshëm, më të ekuilibruar gjatë stinëve për një popullsi në rritje të vazhdueshme. Përfundim i pakundërshtueshëm është se njerzit ushqehen më mirë, cilësia e jetës dhe gjatësia janë rritur.
Sistemi i menaxhimit të sigurisë ushqimore në çdo vënd shkon paralelisht me kërkesat dhe edukimin e konsumatorit i cili përzgjedh ose refuzon produktet në treg. Edukimi i konsumatorit nuk bëhet duke e mashtruar, çorjentuar, panikosur ose trullosur nëpërmjet informacionit pa lidhje me realitetin apo të vërtetën. Eksperiencat më të mira na tregojnë se siguria ushqimore përmirësohet në rast se përfshihen dhe japin kontribut shumë aktorë: prodhuesit, konsumatorët, institucionet shtetërore qendrore dhe lokale, universitetet, media shoqëria civile, etj.
Sistemi mund të përmirësohet dhe besimi i konsumatorit rritet nëse sistemi vetërregullohet duke adaptuar rregullat modelin europian të “bujqësisë së integruar” ose “bujqësisë së arsyeshme” miqësore me mjedisin. Fermerët e tregut duhet të kenë detyrim ligjor të aplikojnë teknologjinë e rekomanduar nga specialisti, të përdorin kimikate vetëm me “autorizim ose recetë nga specialistët” “bazuar në analizat e tokës dhe rregullat e mbrojtjes së bimëve” dhe në fund specialistët me përgjegjësi ligjore të aprovojnë ose jo “portokollin e zbatuar të teknologjisë” para daljes në treg. Kjo mund të fillojë me fermat e mëdha, serat, pemtoret dhe vreshtat në zonat më intensive të vëndit.
Përfitues të këtij projekti do të janë prodhuesit, konsumatorët, mjedisi dhe ekonomia e vëndit në përgjithësi. Universiteti Bujqësor duhet të jetë një aktor kryesor duke ofruar për komunitetin e fermerëve “portokollet ose modele të kartave teknologjike” të cilat mund të përzgjidhen nëpërmjet internetit me dëshirë nga fermerët, analiza të besueshme për tokën dhe bimët, këshilla për përdorimin e kimikateve etj. Mbështetja nga shteti e Universitetit Bujqësor me laboratore dhe projekte për vlerësimin e cilësisë së produkteve në ferma dhe tregje do të ishte kontribut me vlerë. Gjithashtu, universiteti duhet të përfshihet në programet qeveritare për (i) edukimin e fermerëve dhe specialistëve nëpërmjet trajnimeve (ii) informimin dhe edukimin e konsumatorit etj. Prodhuesit, konsumatorët, institucionet shtetërore dhe mediat janë më pranë të vërtetës kur informacioni dhe këshillat jepen me përgjegjësi nga universiteti.
Njohja, përvoja personale, arsyetimi dhe faktet më bejnë të besoj se cilësia e fruta perimeve të vëndit që unë ose ne konsumojmë çdo ditë është shumë e mirë. Ka raste kur cilësia e tyre është e shkëlqyer. Por a ka raste të pranisë së produkteve me cilësi të dobët? Sigurisht që ka. Çmimi është parametri më i mirë i cilësisë. A ka raste kur produktet janë të rrezikshme? Përgjigja nuk është çështje opinioni, ajo jepet vetëm nëse provohet dhe me shumë përgjegjësi.

Prof. Dr. Seit SHALLARI

Përgjegjës i Departamentit të Agromjedisit dhe Ekologjisë
Universiteti Bujqësor i Tiranës
Informacion për autorin:

Pergjegjesi i departamentit DAME