Finalistët e Championsit ngulmojnë për Hysajn, por edhe Roma nuk heq dorë

“Telenovela” Hysaj duket se nuk do të ketë fund gjatë kësaj vere. Mbrojtësi i kombëtares sonë ka filluar përgatitjet me Napolin, por e ardhmja e tij do të jetë në një tjetër skuadër. Ai nuk bën pjesë në planet e Ancelotti dhe duke u nisur nga ky fakt ka nisur kërkimin për destinacionin e ardhshëm.

 

“Il Messaggero” në edicionin e sotëm të gazetës në print raporton për një rritje të interesit të Romës për shkodranin duke parë vështirësitë që kanë verdhekuqtë për të afruar Alderweireld. Futbollisti shqiptar i pëlqen shumë trajnerit të ri Fonseca, por problemi qëndron në vlerën e lart të kartonit të Hysajt që shkon në shifrën e 20 milionë eurove. Një shifër që solli edhe tërheqjen e Atleticos nga gara.

Gjithsesi Roma do të ketë shumë rivalitet, pasi edhe Tottenham po ngulmon për mbrojtësin e kombëtares sonë, të cilin e sheh si profilin ideal për të zëvendësuar Trippier. Sipas “Radio Kiss Kiss”, finalistët e Champions League janë favorit për të marrë shërbimet e tij. Hysaj në këtë mënyrë mund të provojë një aventurë të re në kampionatin më të bukur dhe më të luftuar në botë. /Rozalb Lika-Koha Jone/