Basha: Rama, përmes Dakos, kontrollon çdo institucion në Durrës

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, akuzon se Vangjush Dako, në vend që të ishte në burg, është bërë padron i drejtësisë.

Përmes një postimi në facebook, Basha shprehet se kryeministri Edi Rama përmes Dakos dhe krimit të organizuar kontrollon pushtetin lokal, drejtësinë dhe çdo institucion tjetër të Durrësit. Për të, çlirimi i vendit nga sundimi i Ramës dhe bandës së tij në qeveri është domosdoshmëri për demokracinë, shtetin e së drejtës dhe stabilitetin e vendit.

 

Postimi i plotë

Edi Rama përmes Vangjush Dakos dhe krimit të organizuar kontrollon pushtetin lokal, drejtësinë dhe çdo institucion tjetër të Durrësit. Bashkëpunëtori i bandës kriminale të Avdylajve, liruesi nga burgu i Lul Berishës dhe pastruesi i parave të krimit në Durrës, duhet të ishte në burg por ai është padroni i atyre që që duhet ta dërgonin në burg.

Drejtësia në të gjithë Shqipërinë është sot në duart e krimit dhe të organizatës kriminale të rilindjes. Sot mes rilindasve dhe krimit nuk ka më asnjë ndryshim. Jemi kthyer në kohët e errëta, kur drejtësia ishte partia kriminale.

Me këtë drejtësi nuk do ketë kurrë politikanë në pranga, nuk do ketë kurrë kriminelë në burg. Me këtë drejtësi, prangat janë për njerëzit e thjeshtë dhe krimi e hajdutëria qeveritare bëjnë kërdinë. Çlirimi i vendit nga sundimi i Edi Ramës dhe bandës së tij në qeveri është domosdoshmëri për demokracinë, shtetin e së drejtës dhe stabilitetin e vendit.