10 të vdekur nga shpërthimi në fabrikën e gazit

Të paktën 10 persona kanë humbur jetën nga shpërthimi në një fabrikë gazi mbrëmjen e së Premtes në Kinën Qendrore.

Autoritetet thanë 19 persona të tjerë janë plagosur rëndë teksa 5 të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Shpërthimi i së premtes ndodhi në qytetin Yima, në Provincën Henan. Media kineze tha se shpërthimi i fuqishëm kishte thyer dritaret deri në një largësi prej 1.9 miljesh.

Zyrtarët thanë për agjencinë e lajmeve “Xinhua” se shpërthimi ndodhi në sektorin e ndarjes së ajrit në fabrikën e gazit dhe jo në cisternat e gazit.

Kina përjeton incidente të shpeshta industriale pavarësisht urdhrave të qeverisë qendrore për të rritur masat e sigurisë në fabrika.