Rriten tensionet, SHBA-ja rrëzon avionin iranian pa pilot

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se një anije e marinës amerikane ka qëlluar një avion iranian pa pilot, në ngushticën e Hormuzit në një veprim vetmbrojtës. Trump tha se USS Boxer, një anije sulmuese amfibe, pjesë e një grupi anijesh të marinës që ndodhen në ngushticë, mes Gjirit Persik dhe Gjirit të Omanit, qëlloi ndaj dronit në ngushticën e Hormuzit të enjten, duke e shkatërruar atë menjëherë.

“Anija mori masa mbrojtëse kundër një aeroplani iranian që ishte në një distancë shumë të afërt, afërsisht 900 metra, duke injoruar thirrjet e shumëfishta, dhe duke kërcënuar sigurinë e anijes dhe të ekuipazhit të anijes”, tha presidenti Trump.

Presidenti i SHBA-së e quajti incidentin, si provokimin e fundit nga ana e Iranit, kundër anijeve që lundrojnë në ujërat ndërkombëtare, teksa shtoi se SHBA dënon përpjekjet e tyre për të shkaktuar çrregullime në lirinë e lundrimit dhe tregtinë globale.

Ai gjithashtu u bëri thirrje vendeve të tjera për të mbrojtur anijet e tyre kur ato kalojnë nëpër ngushticë dhe të punojnë me SHBA në të ardhmen.

Nga krahu tjetër Irani tha se nuk kishte informata për humbjen e ndonjë avioni, ndërsa incidenti vjen vetëm katër javë pasi Irani rrëzoi një aeroplan ushtarak amerikan në këtë zonë.

Rrëzimi i dronit iranian i rrit më tej tensionet tashmë të larta në rajonin e Gjirit. Të enjten, Teherani tha se kishte konfiskuar një “cisternë të huaj” dhe ekuipazhin e saj për shkak të “kontrabandës me naftë” në Gjirin Persik.