Miratohet nga kryeministri Rama “RRUGA E FLORIRIT”, 258 milionë euro për 17 km!

Seanca e fundit e Parlamentit ka shërbyer për të mbyllur qokat e fundit të qeverisë për këtë sesion parlamentar. Deputetët e PS dhe deputetët që thonë se janë të opozitës, por realisht janë shtojcë e rilindjes, miratuan dje me nxitim 16 projektligje. Ligjet më të bujshme dhe që u votuan pa u lexuar fare nga deputetët ishin ato për koncesionet Partneritetin Publik Privat ose siç njihen ndryshe PPP.

U miratua koncesioni për ndërtimin e rrugës Milot-Balldre dhe koncesioni i rrugës Orikum-Dukat. Fakti që qeveria kthen sytë nga ndërtimi i infrastrukturës rrugore është shenjë e mirë, por sa është çmimi që do paguajnë shqiptarët për këto rrugë. Konkretisht rruga Milot-Balldre me gjatësi 17 kilometra do të kushtojë 258 milionë euro! Më saktë, çdo kilometër të kësaj rruge minimalisht do të paguhet 15.5 milionë euro.

Për të kuptuar se çfarë po bëhet me këtë projekt korruptiv, mjafton të kujtojmë se rruga Fier-Tepelenë, e ndërtuar disa vite më parë, ka patur kosto 3-4 milionë euro për kilometër. Sipas një studimi të Bankës Botërore, kostoja mesatare e ndërtimit të 1 kilometri rrugë në Shqipëri arrin në 6 milionë euro. Ndërsa kostoja mesatare e autostradave në Gjermani, me standarde më moderne, shkon 7-8 milionë euro për kilometër.

Pyetja që shtron çdo njeri që njeh aritmetikën e thjeshtë: Çfarë është kjo rrugë që do të kushtojë 10 milionë euro më shumë për kilometër se çfarëdo rrugë tjetër në Europë?! Çfarë projekti është ky që tejkalon dyfishin e ndërtimit të rrugëve, edhe në një shtet si Gjermania? 17 kilometra, me çmimin e referencës së studimit të Bankës Botërore do t’u kushtonte shqiptarëve rreth 105 milionë euro. Ndërkohë, me llogaritë e qeverisë “Rama”, në kontratën e miratuar dje në Parlament e njëjta rrugë ka kosto 153 milionë euro të tjera, shtesë! Vlera e 15.5 milionë euro për një km rrugë, sipas ekspertëve, nuk justifikohet as në ndërtimin e autostradave në vende të zhvilluara  në Europë dhe jo më në rajonin e Ballkanit. Me 15.5 milionë euro një km, sipas ndërtuesve rruga Milot-Balldre, duhet të shtrohet me flori dhe jo me asfalt si çdo rrugë tjetër e vendit.

Deputetja e PD, Albana Vokshi, në një deklaratë për mediat, para se ligji të miratohej në Kuvend, e cilësoi projektin Milot-Balldre dhe Orikum-Dukat si vjedhjet më të mëdha që po u bëhet shqiptarëve. “Kompania që përfiton pjesën e luanit, prej 258 milionë euro për 17 kilometra të rrugës fushore Milot- Balldre është ajo e Ndue dhe Agim Kolës, të njohur për lidhjet e ngushta  me Edi Ramën. Ndërsa kompania tjetër, Gjikuria, e koncesionit për Orikum – Dukat, njihet për numrin e madh të tenderave publikë që ka përfituar gjatë qeverisë së Edi Ramës”,- deklaroi Albana Vokshi. Duke u ndalur në projektin Milot-Balldre, Vokshi tha se qeveria “Rama” po thyen çdo rekord korrupsioni dhe klientelizmi. Në miratimin e këtij projekti nuk pati asnjë zë që ta kundërshtonte në parlament, edhe pse praktikisht qeveria po u jep kompanive private 153 milionë euro më shumë sesa kostoja që ka projekti. Ndërkohë veç dhënies së këtyre parave, problemet me këtë koncesion janë të pafundme.

Kontrata për 258 mln euro u lidh mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (Qeverisë) dhe shoqërisë “ANK”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë “Bardh konstruksion”, sh.p.k., si shoqëria koncesionare, për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot – Balldren. Ofertën për ndërtimin e kësaj rruge e kanë bërë vet këto dy kompani dhe fillimisht thanë se duheshin vetëm 161 milionë euro. Askush nga deputetët nuk pyeti se përse shifra u rrit nga qeveria më rreth 100 milionë euro? Ndërkohë skandali tjetër është se sipas kontratës, kompania kryesore duhet të kenë rreth gjysmën e kapitalit për nisjen e punimeve. Shoqëria ANK ka në llogaritë e saj vetëm 3.2 milionë euro, thotë PD. Me një bilanc të tillë firmat as duhet të ishin pranuar në garë, por qeveria “Rama” jo vetëm i shpalli fituese, por u jep dhe tenderin më të majmë të viteve të fundit pa asnjë lloje garancie.

Kjo do të jetë rrugë “floriri” pasi nuk ka shpjegim tjetër se si mundet të jepen kaq shumë para për një rrugë fushore.

Ajo që e bën krejt korruptive  dhe veprim mafioz mbetet se kryeministri i kalon në parlament, pasi nuk ka qeveri, më vonë, që i prish dot pasi përballet me arbitrazhin ndërkombëtar, siç fitoi edhe Bechetti.

Po vjedhin hapur dhe e pa çarë kokën, tani në ikje si pushtet. Por fatura do paguhet nga xhepat e shqiptarëve.

Mili Xhani