Miratimi i koncesioneve, Kryemadhi: Parlamenti një teatër kukullash

Nga Lushnja Monika Kryemadhi ka komentuar dhe seancën e ditës së djeshme ku u kaluan dhe dy koncesionet e Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat. Kryetarja e LSI, e cilësoi seancën e djeshme si qesharake, pasi fillimisht votoi dy koncesionet dhe më pas ndryshimet në ligjin e koncesioneve, të cilat janë propozuar që para 3 vitesh nga LSI.

“Parlamenti dje u kthye në një teatër kukullash. Dje dy vendime qesharake në të njëjten seancë. Në fillim u miratuan dy mega afera korruptive të Balldren-Milot dhe Orikum-Dukat dhe më pas u ndryshuan ligji për ofertat e pakërkuara. Rama pasi i detyroi deputetët të votonin aferat prej 323 milion eurosh, i detyroi dhe të tallen me veten dhe votuan ndryshimet në ligjin e koncensioneve. LSI kishte tre vite që i kishte depozituar ndryshimet në ligjin e koncensioneve”,- tha Kryemadhi.

Kryemadhi tha se koncesionet nuk japin asnjë vlerë të shtuar në ekonomi dhe në infrastrukturë por vetëm në xhepat e oligarkëve dhe kryeministrit Rama. “Rrugët e dhëna me koncension janë jo vetëm super korruptive, por pa asnjë vlerë të shtuar ekonomike. 323 milion euro pa asnjë ndikim as në infrastrukturën rrugore, as në ekonomi. Dy koncensionet, ndikim pozitiv vetëm tek llogaritë në bankat offshore të oligarkëve dhe Ramës. LSI e vendosur që paratë e koncensioneve korruptive do kthehen deri në një, sërish në arkën e shtetit. Askush të mos mendojë që mund të gëzojë taksat, mundin dhe djersën e shqiptarëve me koncensionet korruptive”,- tha Kryemadhi.