Lushnja në terr elektrik/ Hajdutët, në aksion për vjedhje

Mungesa e energjisë elektrike në Lushnje ka bërë që hajdutët të futen në veprim, ku kanë arritur që të vjedhin një dyqan me pajisje elektro-shtëpiake.

Raportohet se ngjarja ka ndodhur në orën 04:00 të mëngjesit të kësaj të premteje. Autorët kanë dëmtuar qepnin dhe më pas kanë thyer derën për tu futur brenda në dyqan.

Ata kanë mundur që të vjedhin një sasi të konsiderueshme të pajisjeve elektro-shtëpiake. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes për të nisur hetimin. Deri më tani nuk ka asnjë të dyshuar për vjedhjen, ndërkohë që raportohet se qyteti i Lushnjës ende nuk ka energji elektrike.

OST ka njoftuar se stakimi i furnizimit me energji ka ndodhur për shkak të punimeve të rehabilitimit të anës 110kV të N/stacionit Plasmas.

Të gjithë fiderat që furnizohen nga këto nënstacione të qëndrojnë pa energji! Pa energji kanë mbetur edhe spitali, ujësjellësi, Komisariati i policisë dhe Zjarrfikësja, të cilat janë njoftuar më herët që të marrin masat gjatë hapësirës kohore që nuk do të ketë energji.