Lajmi për ndarjen, Inva Mula: Mesa di unë, jam akoma e martuar

Me shpejtësi, në gazeta, në portalet shqiptare, e në rrjetet sociale, ditët e fundit u përhap lajmi se sopranoja e famshme, Inva Mula është ndarë nga bashkëshorti i saj, biznesmeni Hetem Ramadani. Megjithatë, një lajm i tillë duket se nuk është aspak i vërtetë dhe këtë e konfirmoi vetë Inva Mula në emisionin “I Ftuari”.

Në emision, sopranoja foli për MIK Festival, karrierën e saj, e ndërsa në fund u pyet nga gazetari Endri Xhafo edhe për lajmin e ndarjes nga bashkëshorti, të cilin e mohoi kategorikisht.

A vazhdoni të jeni e martuar me zotin Ramadani? U pyet Inva Mula, e cila më pas u përgjigj: “Mesa di unë, po. Unë për këtë lajm nuk jam pyetur fare. Madje, kam qenë me pushime dhe nuk e dija fare që kjo gjë kishte ndodhur. Isha e shkëputur edhe nga telefoni, por një mikesha ime po insistonte duke më telefonuar. Ajo ma dha lajmin, por unë e anashkalova, pasi po të kërkosh në “Google” gjen shpesh lajme për ndarjen time. Nuk e di kush e do një gjë të tillë, por nuk ka ndodhur akoma dhe për këtë e siguroj publikun. Unë e anashkalova, por nuk e dija që ky lajm kishte marrë një bujë kaq të madhe”, tha Inva Mula.