Komisioni Europian aprovon marrëveshjen. Vodafone, tashmë lideri dixhital i Europës

Vodafone Group mori zyrtarisht aprovimin e Komisionit Europian për të finalizuar blerjen e aksioneve të kompanisë “Liberty Global” në Gjermani, Çeki, Hungari dhe Rumani, duke e shndërruar Vodafone në operatorin lider në Europë për shërbimet e konvergjuara të komunikimit, me 116.3 milionë konsumatorë të telefonisë së lëvizshme, 24.2 milionë konsumatorë të telefonisë fikse dhe 22.1 milionë konsumatorë të shërbimit TV në 13 shtete të Europës.

Pas përfundimit të transaksionit me vlerë 18.4 miliardë euro, Vodafone do të zotërojë rrjetin më të madh të gjeneratës së re në Evropë, një nga platformat televizive më të mëdha të kontinentit, teksa rreth gjysma e të ardhurave do të vijnë nga shërbimet fikse dhe të konvergjuara. Në këto pozita, Vodafone do t’u ofrojë shërbimet e shoqërisë Gigabit mbi 100 milionë njerëzve në Europë.

Në një deklaratë për mediat, drejtuesi ekzekutiv i kompanisë, Nick Read, tha: “Pas aprovimit të marrëveshjes Liberty Global nga Komisioni Europian, Vodafone bëhet operatori më i madh në Europë për ofrimin e  shërbimeve të konvergjuara të komunikimit. Ky është një hap i suksesshëm drejt realizimit të shoqërisë dixhitale për klientët tanë.”

Ky transaksion do të ndikojë në rritjen e shërbimeve të konvergjuara të komunikimit në Europën Qendrore dhe Lindore, duke qenë se do të rrisë  konkurrencën dhe do të shtojë zgjedhjet për klientët, duke shërbyer si nxitës për inovacionin, deri në realizimin e plotë të shoqërisë dixhitale.

Transaksioni pritet të finalizohet brenda 31 korrikut 2019.