Instagrami po fsheh numrin e like-ve

Instagram po fsheh numrin e like-ve të bëra në postime për të shmangur presionin mes përdoruesve të këtij rrjeti social. Duke fshehur like-t, Instagram synon që ndjekësit të përqendrohen më shumë në postimin e bërë sesa në numrin e pëlqimeve të asaj që kanë publikuar. Ky ndryshim ka prekur vende të ndryshme, duke përfshirë edhe Australinë dhe Japoninë.

Deri në këto momente, çdo person që ka një llogari dhe e përdor atë, mund të shohë numrin total të njerëzve që e kanë pëlqyer postimin, por Instagram ka ndërmarrë një tjetër hap që i ka prekur jo pak përdoruesit. Tanimë, poshtë fotos do të shfaqet vetëm emri i një personi dhe versioni “të tjerë”, pa treguar numrin ekzakt të pëlqimeve që një person mund të marrë në account-in e tij. Numri i pëlqimeve në Instagram do të jetë i dukshëm vetëm për personin që e ka account-in dhe jo për të tjerët.

Një zëdhënës i Instagram tha se kompania nuk po e teston këtë ndryshim por se gjithmonë është duke eksploruar mënyra për të zvogëluar presionin ndaj përdoruesve të tij. Ky vendim i prodhuesve për të krijuar një prototip të ri ka nxjerrë në pah, në mënyrë të menjëhershme, pakënaqësitë e përdoruesve dashamirës të shifrave të larta.