Heqja e objekteve nga Teatri Kombëtar, godina 24 orë nën vëzhgim

Lajmërimi se Ministria e Kulturës do të zbrazë godinës e Teatrit Kombëtar për të prishur më pas dhe kompleksin, ka mobilizuar artistët, të cilët e kanë ruajtur godinën gjatë gjithë natës.

Aktori Neritan Liçaj thotë se heqja e objekteve të teatrit është presion psikologjik, teksa ngre shqetësimin se ku do të ruhen këto objekte.

Neritan Liçaj: “Problem i madh është që heqin objektet e Teatrit Kombëtar që janë pasuri, lekë taksapaguesish dhe i hedhin nëpër tunele ushtrie. Sepse unë e di kapacitetin e Turbinës. Tubina nuk ka vend për të mbajtur dekoret e veta.”

Artistët deklarojnë se do të mbrojnë deri në fund këtë kauzë, regjisori Robert Budina u shpreh se nuk do të ngurojnë të përdorin çdo mjet, qoftë dhe jodemokratik.

Robert Budina: “Në momentin që ata do të shkojë përtej, edhe me mjete jodemokratike ne do ti kundërvihemi, do ti godasim, do sensibilizojmë njerëzit të bëjmë veprime konkrete fizike kundër pushtetit dhe këtë do ta bëjmë si qytetarë dhe jo si forcë politike. Njerëzit duhet të reagojnë. Nëse të vjen në shtëpi hajduti, ti çfarë do të bësh? Do ta lësh ta vjedhin? Jo ti do mbrosh fëmijën. Dhe njerëzit këtë do të bëjnë. Ky është fëmija jonë, është fëmija i shqiptarëve Teatri Kombëtar, është trashëgimia e jonë.”

Aleanca për mbrojtjen e Teatrit proteston prej më shumë se një vit kundër shembjes së Teatrit. Gjatë 2 ditëve të fundit, godina monitorohet  24 orë për shkak të denoncimeve se Ministria e Kulturës do të zhvendosë materialet dhe objektet, denoncim që nuk është pranuar nga ky institucion.

/Ora News