Haradinaj jep dorëheqjen, Basha: Vuri atdheun mbi gjithçka

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, thotë se Ramush Haradinaj vuri atdheun mbi gjithçka. Pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Basha shkruan përmes një postimi në Twitter, se: ”Ramush Haradinaj është Kosova-Kosova e lirë, Kosova e pavarur, Kosova europiane. Askush dhe asgjë nuk e përdhos dot luftën çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën sublime të familjes Haradinaj në altarin e lirisë”.

I shpallur i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë për krime të pretenduara gjatë luftës së Kosovës, Ramush Haradinaj është thirrur sërish nga Gjykata Speciale, ndërkohë që një zhvillim i tillë nuk ishte parashikuar më parë. Haradinaj njoftoi sot se ka dhënë dorëheqjen si kryeministër, për t’u përballur si qytetar i thjeshtë me drejtësinë, ndërsa kërkoi që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Postimi i plotë

Dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj është akti i një njeriu që ve Atdheun mbi gjithçka. Ramushi i ka shërbyer gjithmonë me vetëmohim Kosovës, në ditë të mira dhe në ditë të këqija. Ramush Haradinaj është Kosova-Kosova e lirë, Kosova e pavarur, Kosova europiane. Askush dhe asgjë nuk e përdhos dot luftën çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën sublime të familjes Haradinaj në altarin e lirisë!