Ekskluzive/ Kukësi godet në merkato, arrin akordin me sulmuesin e Skënderbeut

Kukësi pritet që të bëjë një mini-revolucion në merkato pas eliminimit nga Europa League që në turin e parë nga Debreceni. Presidenti Gjici sot njoftoi masën e parë duke shkarkuar trajnerin Ernest Gjoka, ndërkohë që edhe disa futbollistë pritet që të ndjekin rrugën e tij për shkak të paraqitjeve dobëta në fundin e kampionatit dhe në Europa League. Klubi verilindor po punon edhe në hyrje, teksa synon afrimin e disa prej futbollistëve më të spikatur e sezonit të kaluar.

 

Gazeta “Koha Jone” ka mësuar nga burime brenda klubit të Kukësit se një nga afrimet e para do të jetë Blerim Krasniqi. Nënkampionët e Shqipërisë kanë arritur akordin me sulmuesin e Skënderbeut, i cili ka qenë protagonist në sezonin e fundit, duke zgjidhur disa prej ndeshjeve të korçareve. Në ditët në vijim do të zgjidhen edhe detajet e fundit dhe më pas do të bëhet edhe prezantimi i tij në klubin verilindor. Skënderbeu nuk do të bëjë rezistencë për disa nga futbollistë në merkato pas dënimit të rëndë që u konfirmuar në CAS, duke konfirmuar mungesën në Europë për 10 sezone.

Paraqitjet aspak të mira të Shkurtajt dhe Rrocës, por edhe largimi i Reginaldos gjatë kësaj verem kanë bërë që Gjici të mendojë për një tjetër sulmues goli. Në sezonin e kaluar Krasniqi gjeti 9 herë rrugën e rrjetës në 52 ndeshje. 23-vjeçari dhuroi edhe 7 asist për shokët e tij, ndërkohë që një nga të dhënat pozitive të tij është fakti që sakrifikon shumë për skuadrën.

Krasniqi e ka nisur karrierën te Apolonia, ku u aktivizua për 3 sezone, derisa u bë pjesë e Skënderbeut nga sezoni i kaluar. Kukësi shpreson që të gjejë një sulmues si Cikalleshi apo Guri, të cilët më pas t’i shesë në Europë, një strategji që në fakt u ka funksionuar vetëm në pak raste. /Rozalb Lika-Koha Jone/