De Ligt prezantohet te Juventusi: Këtu prej Sarrit, jo vetëm prej Ronaldos

Matthijs de Ligt ka bërë sot prezantimin e parë në konferencë për shtyp për klubin e Juventusit. Mbrojtësi 19-vjeçar është shfaqur i emocionuar, por shumë i qartë për objektivat. Ish-talenti i Ajaxit zbuloi edhe disa nga arsyet që e bindën që të zgjidhte klubin italian, një vendim siç e shpjegon edhe ai e kishte marrë para se Ronaldo ta ftonte te bardhezinjtë.

Konsideroheni si një futbollistë i jashtëzakonshëm, por jeni vetëm 19 vjeç. Çfarë mendoni për këtë aspekt?

Tek Ajaxi kam luajtur në vazhdimësi, kam përvojë tashmë, por më duhet të mësoj ende nga të tjerët, sepse krahasuar me ta sapo e kam nisur.

Cilat janë përshtypjet e para në këto ditë të para?

Është një hap i madh përpara, i pari jashtë Holandës dhe duhet të përshtatem. Shpresoj ta shpërblej mbështetjen që kam marrë nga tifozët.

Si shkoi dueli me Ronaldon në Ligën e Kombeve?

Në atë moment po kërkoja të kuptoja se çfarë duhet të bëja në verë. Por doja të prisja. Isha i sigurt, por që destinacioni do të ishte Juventusi. Ishte një kompliment i madh që një futbollist i madh si Ronaldo të më kërkonte të vija këtu. Jam shumë krenar. Gjithsesi, nuk është se bëri diferencën në vendimin tim.

Sarri, a ka patur peshë në vendimin tuaj?

Kam folur në telefon, për ta njohur. Edhe ai është motiv pse jam këtu. Kam dëgjuar të flitet shumë për stilin e lojës së tij. Ishte një motiv i fortë.

Që i vogël kemi parë që keni mbajtur fanellën e Juventusit, përse?

Isha 7 vjeç dhe nëse je mbrojtës, e di se cilin futbollist do të admirosh. Ka qenë epoka e Fabio Canavaros, kampion bote dhe fitues i “Topit të Artë”. Isha fans i tij. Kishe një ndjenjë pozitive për të gjithë Juventusin, kam qenë tifoz i bardhezinjve që i vogël.

Këtu do të doni të fitoni Champions League …

Janë tre kompeticion, katër bashkë me Superkupën e Italisë. Të shohim ndeshje pas ndeshjeje, duam të fitojmë gjithçka. Ky është mentaliteti i Juves.

Pse zgjodhët Juventusin dhe jo Barcelonën apo PSG-në?

Ka qenë një proces i gjatë, po shikoja rrotull. Italia është e famshme si vendi i mbrojtjes. Është një sfida e madhe, Juvja ishte më konkrete dhe tregoi se beson tek unë. Kjo ndjesi bëri diferencën në vendimin tim.

Çfarë mund të jepni për Juven në Seria A?

Në Holandë flitet shumë për ndërtimin e lojës edhe nga mbrojtja, ndërsa këtu flitet për mbulimin, të mbrosh në grup. Mendoj se mund të ndihmojmë reciprokisht.

Të rëndon çmimi që Juventusi ka paguar për ty?

Presioni në futboll është normal. Kur një klub të blen për një çmim të shtrenjtë, kjo tregon se ka shumë presion. Për të qenë një futbollist i madh duhet ta dish ta menaxhosh presionin. Unë do të mundohem të bëj pjesën time, të përmirësohem, për mua nuk është problem.

Pse numrin 4 mbi fanellë?

Numri 4 është i veçantë, sepse që fëmijë e më pas në skuadrën e parë kam luajtur më këtë numër. Këtu ishte i lirë. Kam dëgjuar shumë histori rreth këtij numri dhe më duhet ta çoj përpara këtë trashëgimi. Do ta vesh me shumë krenari fanellën me numër 4 dhe shpresoj të jem në lartësinë e duhur.

Foto 7