Presidenti Meta nga Xhafzotaj i Durrësit: Të mos humbasim asnjë sekondë për të gjetur zgjidhje

Presidenti Meta foli nga Xhafzotaj i Durrësit kur ishte në një takim ku dhurohej gjak, duke deklaruar se qytetarët shqiptarë duhet të dijnë se me 30 qershor nuk ka patur zgjedhje shtetrore, por vetëm partiake.

Presidenti i pyetur nga gazetarët tha se duhet të ulemi me çdo kusht për të gjetur zgjidhje për shqiptarët. Më tej Presidenti theksoi se kryeministri dhe opozita të ulen për gjetjen e një zgjidhje për vendin, pasi me 17 tetor është shansi i fundit për ne që BE të na japi statusin për në Europë. Maqedonia e Veriut është gati dhe pritet vetëm Shqipëria e prandaj duhet me çdo formulë të gjejmë një zgjidhje për krizën e rëndë që të mos humbasim trenin e fundit për BE.

Në lidhje me 13 tetor si datë e dekretuar-shtoi Meta-nëse duan palët politike ta shtyjnë apo afrojnë, jam gati ta rishikojë, pasi interesi primar mbetet Shqipëria.

“Jam fleksibël për ta parë çështjen e datës 13 tetor,” – tha Meta ndër të tjera, por vërejti se “nuk e kalojmë dot këtë provim pa bërë zgjedhje demokratike. Nuk arrihet çelja e negociatave me qoka ndrkombëtare, por me standarte demokratike. Unë, Edi dhe Luli e dimë shumë mirë. Ata janë të pritur në Presidencë. Në 10 qershor unë firmosa dekretin për shfuqizimin e zgjedhjeve, por të mos humbasim asnjë orë e asnjë sekondë nga sot e në vazhdim, se shqiptarët në 19 tetor nuk duan të dëgjojnë justifikimet e askujt për ping pongun e radhës së fajit.”

Prononcimi i Presidentit të Republikës në Xhafzotaj, Shijak

Pyetje: Zoti Meta, i keni bërë një ftesë zotit Rama për të dialoguar rreth datës së 13 tetorit. Për atë, 13 tetori ishte si çdo datë tjetër duke refuzuar që të jetë pjesë e zgjedhjeve.

Presidenti Meta: Kam përshtypjen se Kryeministri e percepton ndoshta si datë tersi 13 tetorin. Por dua ta siguroj atë e të gjithë, se e vetmja datë, ndaj së cilës nuk kam asnjë mundësi që të ndikoj dhe që është shumë e rëndësishme për të gjithë qytetarët shqiptarë, është 17-18 tetori kur udhëheqësit e Bashkimit Europian do të vendosin për çeljen ose jo të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Natyrisht edhe me Maqedoninë e Veriut.

Të gjithë ne e kemi të qartë se me mik shumë të fortë provimin e qershorit e shtymë për në tetor, për në vjeshtë.

Është e domosdoshme që të jemi mjaft të përgjegjshëm e të sinqertë para shqiptarëve. Të paktën unë si President i Republikës së Shqipërisë, por edhe zoti Rama si kryetar i Qeverisë, edhe i mazhorancës aktuale, natyrisht edhe zoti Basha si kryetar i opozitës, se nëse përpara kësaj date, pra 17-18 tetorit ne nuk do të arrijmë të organizojmë zgjedhje gjithëpërfshirëse vendore, dhe njëkohësisht të gjejmë një formulë për kapërcimin e kësaj krize, provimi i vjeshtës është i pakalueshëm.

Dhe në vend të gjetjes së kësaj zgjidhje, që duhet ta kishim gjetur që në momentin e parë kur unë, më 10 qershor firmosa dekretin për shfuqizimin e datës 30 qershor si ditë zgjedhjesh, të paktën të mos humbasim asnjë orë dhe asnjë sekondë nga sot e në vazhdim, sepse 17-18 tetori do të ikë dhe do të vijë 19 tetori.

Shqiptarët më 19 tetor nuk duan të dëgjojnë justifikimet e askujt për të zhvilluar ping-pongun e radhës së fajësimit.

Pra është e qartë se e vetmja datë mbi të cilën unë nuk ndikoj dot është 17-18 tetori, sepse këtë e ka vendosur Bashkimi Europian.

Së dyti, jam fleksibël, meqenëse mund t’i ketë dalë ters në filxhan 13 tetori që ta rishikoj këtë datë, por përpara 17-18 tetorit, në çdo moment do të ishte i mirëpritur.

Unë kam kaq kohë që po e pres me shumë durim, por edhe me shpresë, për të dhënë një zgjidhje të përgjegjshme.

Përndryshe kjo krizë do të vazhdojë të përshkallëzohet dhe askush nuk duhet të mendojë që do të dalë me kosto zero.

Aq më tepër ata, të cilët kanë punuar me shumë përkushtim për të gatuar këtë rrëmujëhane sot në Shqipëri.

Pyetje: Një ditë më parë Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës ka rrëzuar mandatimin e zonjës Sako për kryetare të Bashkisë. Cili është komenti juaj dhe a i bën nul ky  vendim i gjykatës së Durrësit çdo rezultat të zgjedhjeve ku ka pasur përfaqësues të “Bindjes Demokratike”?

Presidenti Meta: Çdo proces gjyqësor që vazhdon të zhvillohet është një pasqyrim i rrëmujhanes ligjore, që për fat të keq vazhdon në vendin e në shtetin tonë.

Ky është rezultat i mungesës së respektit për Kushtetutën, i keqzbatimit të qëllimshëm e të njëanshëm të ndryshimeve kushtetuese që u arritën me konsensus unanim tri vite më parë. Kjo gjë u demonstrua shumë qartë që në momentin kur me një qarkore Kuvendi u shpall gjoja inekzistent dekreti i Presidentit dhe u udhëzua organizata socialiste në KQZ, por edhe u ushtrua trysni mbi Kolegjin Zgjedhor që të interpretonte rrëzimin e kërkesës së zotit Idajet Beqiri si rrëzim i dekretit të Presidentit.

Duhet ta kenë të qartë të gjithë qytetarët shqiptarë se nuk ka pasur zgjedhje të qytetarëve shqiptarë, zgjedhje shtetërore, zgjedhje kushtetuese, zgjedhje ligjore më 30 qershor. Le të thotë kush të dojë e çfarë të dojë, çdo shqiptar e çdo ndërkombëtar se gomari fluturon!

Ne mund t’i themi se kjo mund të ndodhë në art, mund të ndodhë në ëndërr e mund të ndodhë në piktura, por ne e dimë që gomari, të paktën këtu në Shqipëri nuk është shqiponjë që të fluturojë!

Kështu që të gjitha këto manovra, këto përpjekje e manipulime, të gjithë këto qoka, përfshirë edhe qokat ndërkombëtare, shkojnë kundër standardeve ndërkombëtare, të cilat Shqipëria është e detyruar t’i plotësojë, sidomos përsa u takon zgjedhjeve të lira e të drejta dhe sundimit të ligjit, që janë një standard i panegociueshëm për të marrë provimin e vjeshtës.

Duhet të përfitojmë nga momenti mjaft pozitiv që ka arritur Maqedonia e Veriut me Marrëveshjen e Prespës, dhe jo të dëmtojmë edhe shanset e tyre apo t’i  shantazhojmë të tjerët, pasi për ne ka shumë rëndësi që Shqipëria të çelë negociatat, por ka shumë rëndësi që edhe Maqedonia e Veriut t’i çelë këto negociata. Jo vetëm për shkak të fqinjësisë mjaf të rëndësishme. Jo vetëm për shkak të lidershipit të shkëlqyer që ka treguar si  Kryeministrit Zaev, ashtu edhe Presidenti Pendarovski, por edhe për shkak të shqiptarëve që kemi në Maqedoninë e Veriut, të cilët kanë qenë një faktor i jashtëzakonshëm për integrimin europian të atij vendi, por edhe për anëtarësimin e tij në NATO dhe të cilët presin një mesazh pozitiv, edhe për Maqedoninë e Veriut pasi edhe ata nuk dëshirojnë të largohen nga ai vend. Përkundrazi, duan ta realizojnë të ardhmen si qytetarë europiane të ardhmen, edhe ata, në vendin e tyre dhe pranë familjeve të tyre.

Pyetje: Ndërkohë që është një Komision parlamentar Hetimor që po heton për shkarkimin tuaj. Jeni ftuar për një dëgjesë. Do të bëheni pjesë?

Presidenti Meta: Nuk kam asnjë shqetësim për asnjë komision hetimor parlamentar në Shqipëri! Për asgjë gjykatë dhe asnjë institucion drejtësie që të gjykojë veprimet e mia në Shqipëri apo çdo institucion që ka juridiksion mbi Republikën e Shqipërisë! Fare! Fare!

I vetmi shqetësim i imi është data 19 tetor.

Çfarë do t’u themi shqiptarëve?! Do t’u themi që e kishte fajin Edi Rama?

Do t’u themi që e kishte fajin Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi?

Nuk i fshihemi dot përgjegjësisë përpara të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Le të mos harrojmë që njëzet vite më parë Shqipëria ishte përpara Kroacisë përsa i takon procesit të integrimit europian! Ku është Kroacia sot e ku është Shqipëria sot?! Në rast se edhe Maqedonia e Veriut do të ecë përpara në tetor, atëherë ku janë perspektivat europiane të të rinjve e të rejave të Shqipërisë, të cilët për fat të keq po largohen sikur të ishte ende viti 1990!

Pyetje: Zoti President, cili është propozimi juaj për zgjidhjen e krizës?

Presidenti Meta: Unë jam fleksibël për ta parë çështjen e 13 tetorit, meqenëse mund të ketë krijuar ndjenjën e tersit te dikush. Për mua nuk ka rëndësi. Për mua ka rëndësi 17-18 tetori. Atë nuk kam fuqi as unë dhe asnjeri që ta ndryshojë, sepse atë e ka Bashkimi Europian.

E theksoj edhe njëherë: Kemi futur mik të fortë për ta shtyrë provimin nga qershori që të na japin mundësi për të kaluar në vjeshtë.

Nuk e kalojmë dot këtë provim pa bërë zgjedhje gjithëpërfshirëse, të standardeve demokratike.

Kjo është një gjë që nuk kalohet dot!

Nuk arrihet çelja e negociatave të anëtarësimit me qoka ndërkombëtare! Vetëm me standarde ndërkombëtare! Me standarde europiane! Ata, të cilët na e duan të mirën, na e kanë thënë hapur dhe të paktën unë, Edi Rama dhe Lulzim Basha këtë gjë e dimë shumë mirë!

Ata si të dëshirojnë! Dëshirojnë ndonjë zgjidhje? Janë të mirëpritur në Presidencë në çdo moment! Unë do të mbaj gjithmonë qëndrimin më të ndershëm, më të drejtë e më parimor! Duan ta zgjidhin diku  tjetër? Ata e dinë që është një adresë serioze ku mund të shkojnë, ta diskutojnë, ta zgjidhin këtë çështje dhe unë po u jap mbështetjen maksimale. Duan të bëjnë ping-pongun e përgjegjësisë e të fajit? Dakord! 19 tetori do të vijë. Është i pashmangshëm.

Pyetje: Nga takimi që keni pasur me kryedemokratin Basha, a e keni bindur atë që 13 tetori do të jetë…?

Presidenti Meta: Unë u jap mendimet e mia të gjithëve. Nuk i imponohem askujt në vendimet e tij. Në momentin që shkohet në zgjedhje të ligjshme, është detyra ime të kërkoj që qeveria të japë një garanci, – sepse ajo duhet ta japë gjithmonë garancinë që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme, – ashtu sikurse opozita të jetë e përgjegjshme për të marrë pjesë në këto procese demokratike.

Në rast se opozita nuk dëshiron të marrë pjesë në një proces të ligjshëm, opozita fjala vjen Partia Demokratike, LSI-ja, disa parti të tjera, atëherë jam i sigurt që do të inkurajohen disa forca të tjera politike, të cilat të paktën të kenë kandidatë në të gjithë Shqipërinë e të regjistrohen në kohë.