De Ligt shpjegon arsyet që e çuan që të zgjidhte Juventusin

Matthijs de Ligt ka zgjedhur Juventusin. Mbrojtësi, i cili më 12 gusht do të fikë 20 qirinj në tortë u bë protagonist gjatë kësaj vere, duke refuzuar PSG dhe Barcelonën për të kaluar te bardhezinjtë. Skuadra torineze i ofroi një kontratë prej 12 milionësh në sezon (bonuse të përfshira) dhe me një klauzolë që pritet të shkojë në 150 milionë euro në sezonin e tretë. Duke folur për mikrofonin e “Ajax Tv”, mbrojtësi ka shpjeguar arsyet e kësaj zgjedhje.

 

“Ishte një zgjedhje e vështirë, kam pasur disa opsione, por gjithnjë duhet të shikosh se çfarë është më mirë. Shumë faktor kishin rol. Për mua ishte e rëndësishme se si do të luanim dhe se sa besojnë te unë. Juventus ka treguar se më do shumë. Ata panë të ardhmen te unë dhe do të kemë mundësinë për përmirësime në disa aspekte të lojës sime.

Më pëlqen mënyra se si mbrojnë italianët, bëra zgjedhjen time duke u bazuar edhe në këtë gjë. Shumë modele të së kaluarës janë italianë:Baresi, Maldini, Nesta, Cannavaro, Scirea. Kur flitet për mbrojtës, emrat që më vijnë ndërmend janë këta”, deklaroi De Ligt. /R.Lika-Koha Jone/