Xhepa: Qeveria nuk kishte asnjë ngut për koncesionin e pompave, kush kontrollon matësit e energjisë?

Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, gjykon se qeveria nuk kishte asnjë ngut për të dhënë me koncesion kontrollin e pompave që furnizojnë qytetarët me karburant.

I ftuar në RTV Ora, Xhepa thotë se përveçse vendimi është në kundërshtim me vendimin e gjykatës për pezullimin e tenderit, nuk ka pasur asnjë ankesë rreth shërbimit që deri sot është ofruar nga Entet Publike.

Selami Xhepa: Shërbimi që po koncesionit mund të ishtë një shërbim që mund të priste në radhë. Ka shumë proritete të tjera. Përshembull edhe sot e kësaj dite aparatet e matjes së energjisë elektrike nuk e dimë kush i certifikon dhe kush i kontrollon. Nëse ai që i shet bën dhe kontrollin kemi të bëjmë me konflikt interesi.Në rastin konkret ky lloj shërbimi që është ofruar deri tani nga Entet Publike dhe autoritetet qeveritare mendoj se nuk ka pasur shqetësim sa i takon kësaj çështje. Kemi të bëjmë jo vetëm me shkelje proceduriale, por me një mënyrë të përsëritur nga ana e organeve shtetërore të kryerjes së procedurave të prokurorimeve publike apo dhënies së kontratave PPP në kushtet e mungesës së transparencës, të garës dhe rregullave themelore të konkurencës së ndershme në biznes. Në rastin konkret kemi pasur dhe vendim gjykate dhe minimalisht duhet të pyetet.

E nëse vendimi mund të pezullohet nga gjykata e Apelit, Xhepa thotë se gjithë ky ngut i qeverisë të lë pas shije të hidhur.

Xhepa: Nuk jemi në kushtet e një emergjence. Vendimet e Apelit janë vendime të formës së prerë dhe vetëm, pas saj mund të inicione procedurat. Fakti që ka një padurim nga mbrapa të lë një shije jo të mirë dhe i jep të drejtë opozitës që të dalë dhe pretendojë se kemi të bëjmë me afera korruptive që mund të çojnë në përfitimin e individëve të caktuar.