Partizani mundet në Baku dhe eliminohet nga Championsi, tani sfidon Sheriff Tiraspolin (VIDEO)

Pas Shkëndijës së Tetovës dhe Feronikelit, Partizani është ekipi i radhës nuk ka mundur të kalojë në fazën e ardhme të Champions League, duke u mundur 2-0 në Azerbajxhan nga Qarabag, ndërsa ndeshja e parë ishte mbyllur 0-0 në Tiranë. Kampionët e Shqipërisë zhvilluan një 45-minutësh të mirë, edhe pse pa raste në portën kundërshtare, arritën ta mbajnë portën e paprekur. Vendasit ishin dominues në mbajtjen e topit dhe në rastet e krijuara, por edhe skuadra shqiptare krijoi dy shanse të mira me dy goditje nga distanca të Çinarit.

 

Të kuqtë, ashtu si në ndeshjen e parë në “Selman Stërmasi”, zhvilluan një lojë të organizuar mirë taktikisht, por u ndëshkuan me në pjesën e dytë, pikërisht në minutën e 51-të, me Ozobic që i shpëtoi mbulimit të mbrojtjes, duke shënuar me kokë. Një tjetër gabim trashanik në vendosjen e mbrojtjes së të kuqve, që nuk e nisi aspak mirë pjesën e dytë.

Ekipi i Lerdës kërkoi menjëherë që të gjente golin e barazimit duke u hedhur në sulm. Rasti më flagrant ishte në këmbët e blerjes së re, Solomon, që i vetëm përballë portierit ia dha topin në duar, duke gabuar fatalisht. Do të kishte qenë me shumë mundësi goli i kualifikimit. Në krahun tjetër Qarbag krijoi shumë shanse shënimi, por portieri Hoxha u mohoi golin në disa raste duke mbajtur të kuqtë në lojë deri në minutat shtesë.

Në kohën shtesë portieri i kombëtares e pati të pamundur të ndalte Quintanën. Përtej eliminimit, paraqitja e Partizanit mund të konsiderohet pozitive, pasi edhe shorti nuk ishte bujar me këtë kundërshtar. Gjithsesi aventura europiane e Partizanit nuk do të mbyllet këtu, pasi të kuqtë do të sfidojnë Sheriff Tiraspolin në turin e dytë në Europa League. Një tjetër rival i vështirë për Partizanin, por me siguri një test më i thjesht se ekipi azerbajxhanas.