Kur “votoi” Skënderbeu…

Fejton nga Thoma Goga –

Meseleja që do rrëfej këtë radhë duket absurde, e pabesueshme po brenda saj ka shumë të vërteta. Ka ndodhur këtu e 25 vjet të shkuara. Isha i papunë dhe bëra disa kërkesa. Prisja ndonjë përgjigje, me shpresë se diku apo dikush do i lexonte ato. Një ditë ra dera e shtëpisë. Mendova se trokiti fati. Nga e trokitura m’u duk “miqësore”. E hapa dhe përballë qëndronin dy vajza e një djalë.

– Përshëndetje, – foli një bjonde.- Ne regjistrojmë popullsinë për zgjedhjet e ardhshme.

Në çast më çuan sytë xixa. Ku më hante mua, ku më kruanin ata.

– Trokisni në derë tjetër,- ua ktheva.

Ndërsa ata ikën, fillova të meditoja. Pse duhesh regjistruar popullsia apo elektorati në këtë formë? Sepse demokracia ishte “lehonë” e nga kjo përfitonin të gjithë. Asokohe partitë e mëdha pillnin “partiçka” të vogla, e ca fshtara apo zona nxirrnin deputetë “dobiça”. Fshati Gogolas me 200 banorë, “polli” 2500 “gogolesha”. Kurse vetëm fshati Dushk nxorri një skuadër me “deputenj”…Pse sot nuk kemi deputetë “dobiça” ? Janë ata që kërkcejnë si pleshta nga një parti te tjetra me votën e popullit. Kalojnë nëpër ‘’të çarat’’ e Kodit Zgjedhor…

Pas dy ditësh nga trokitja e parë, erdhi trokitja tjetër. O zot, thashë, të jetë postieri për ndonjë përgjigje. Dhe vërtetë ishte postieri.

-Urdhëro, – tha ai, – keni një telegram.

E lexova pa u larguar postieri. Dhe mbi letër shënova; ”adresë e pasaktë”. Telegrami i takonte një personi tjetër. Ne ishim 15 vetë me emër e mbiemër si unë. Një ngatërresë pa zarar. Po mendja prapë më shkonte te “rregjistrimi” i popullsisë nga ca të rinj. Ndaj nuk ishte për t’u çuditur që ”votonin’’ edhe të vdekurit…

Si i papunë që isha, m’u hap një punë. Ja, prit e përcill ”rregjistruesit”. Përsëri troket dera. Përsëri e hapa. Përballë një tjetër treshe të rinjsh me defter në dorë.

– Regjistrojmë votuesit për zgjedhjet e ardhshme, – tha djaloshi.

Këtu mezi po i mbaja ‘’frenat’’.

-Ikni me të mirë, – u thashë.

Po një ditë i thirra mendjes. Veç mos më ardhshin, se ‘’me kënaqësi’’ do rregjistrohem. Do rregjistrohem edhe unë si gjithë të tjerët. Dera trokiti prapë. Për dreq, përballë ishte postrieri.

-Keni një ftesë për dasëm,- më tha, -martohet Malua.

Këtë herë postieri nuk kishte gabuar. Malua ishte kushëriri im “i afërt’’ në brezin e pestë… Atje po më rrihte çekani mua. Sa herë ndërronte gratë Malua, dërgonte ftesa. Le atë, po shënonte : ‘’kemi edhe saze’’. O të qafsha të tëmë, o Malo! Ndaj, pa u larguar postieri, shënova mbi letër ; ‘’adresë e pasaktë’’. Dhe ia lashë në dorë postierit.

-Malon le ta martojë estrada e Fierit, me Todi Llupin dhe Arqile Lipen…

Postieri e kuptoi ku e kisha llafin, qeshi dhe iku. Unë mbeta duke u llafosur me vete. Kur dera trokiti prapë. Këtë herë nuk ishte aq ‘’miqësore’’.

-Kemi porosi nga shteti të rregjistrojmë votuesit, – foli shpejt e shpejt një vajzë me leshra të zeza. Nga e folura m’u duk si ato ‘’Nafijet’’ e partive…

–           Posi,- u përgjigja shumë miqësor, – kur flet shteti, na shkon nga shtatë… Çfarë kërkoni nga unë ?

–           Emër, mbiemër, datëlindja.

Pasi shënova emër e mbiemër, i lëshova ‘’frenat’’ fare. Ca nga marazi e ca ‘’për të provuar shtetin’’, si datëlindje vura 17 janar 1468. Ata, rregjistruesit e shtetit, e shënuan ashtu siç u thashë unë. Nuk e vunë në punë mendjen. Se po ta vinin fare pak në punë, i binte që unë të kisha lindur atë ditë që mbylli sytë Heroi ynë Kombëtar, Skënderbeu. Domosdo, shteti i ‘’pjell’’ dhe injorantët. Që atëherë dera nuk ka trokitur asnjëherë…

Koha kaloi shpejt e shpejt dhe erdhi dita e zgjedhjeve. Shkova te qendra e votimit dhe po shikoja emrin tim në listë. Ishte fiks ‘’datëlindja’’ që morën rregjistruesit. Atë listë e kishte dhe komisioni i qendrës së votimit. Si ka mundësi që kaloi pa u lexuar me tru ajo listë? Sepse atëherë nuk kërkohej as çertifikatë e as pasaportë. Mjafton të shkarravisje një firmë e të hidhje ca vota.

Isha votuesi më i vjetër në botë; 525 vjeç. Isha votuesi më i lumtur se ‘’kisha lindur’’ atë ditë që vdiq Skënderbeu. Paskan të drejtë ata ndërkombëtarët që thonë se në lista ka shumë të vdekur. Madje disa edhe janë “ngritur” nga meraku për të votur. Hajde, zgjedhje, hajde !…

‘’Të shkuara, të paharruara !’’…