Kukësi tenton nesër përmbysjen e “pamundur”, Gjoka: Duhet të sakrifikojmë!

Kukësi do të zbresë nesër në fushë në misionin “e pamundur” për të përmbysur humbjen 3-0 të ndeshjes së parë ndaj Debrecenit. Skuadra verilindore do të tentojë një rezultat të thellë në “Elbasan Arena” duke u nisur edhe nga pjesa e parë e zhvilluar në Hungari. Trajneri i Debrecenit foli në konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme duke u shprehur se u ka kërkuar lojtarëve të tij të bëjnë kujdes, pasi ai e vlerëson kundërshtarin edhe pse rezultati i ndeshjes së parë ishte i thellë.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë. Është e rëndësishme që të jemi sa më të përqendruar te ndeshja. Kukësi ka elementë të mirë si në mbrojtje ashtu edhe në sulm, por do të presim ndeshjen e nesërme për të parë se si do të rrjedhin gjërat. Ne kemi skuadër të fortë dhe besoj se do t’ia dalim”, tha Andras Herczeg.

Në anën tjetër, trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka u shpreh se për të përmbysur rezultatin duket sakrificë e madhe nga të gjithë lojtarët, por edhe fat.

“Duhet të sakrifikojmë shumë, por duhet edhe pak fat. Keqardhja është e madhe për performacën e ekipit në ndeshjen e parë dhe rezultatin e arritur. Ne prodhuam futboll dhe shumë raste. Kundërshtari është i fortë, por unë shoh dëshirë te skuadra për të dhënë maksimumin nesër”, tha Gjoka.