UEFA “përmbytet” nga rreth 20 milionë kërkesa për bileta

UEFA ka marrë 19,3 milionë kërkesa për bileta për Kampionatin Evropian të vitit 2020 vetëm gjatë fazës së parë të shitjes së biletave, duke thyer rekordin e kësaj faze të Euro 2016.

Rreth 1,5 milionë bileta dolën në shitje për publikun e gjerë nga 12 qershori deri në 12 korrik. UEFA tha se 1,9 milionë bileta u kërkuan për finalen e madhe që do të zhvillohet në stadiumin Uembli, në 12 korrik 2020.

Euro 2020 do të luhet në 12 qytete evropiane për herë të parë në histori. Faza tjetër e shitjes së biletave do të nisë në dhjetor dhe do të jenë 1 milion bileta në shitje për fansat e skuadrave pjesëmarrëse në kompeticion.