Rritja e çmimit të naftës. Kryemadhi: Shqiptarët nuk mund të mbahen peng për dy oligarkë

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi gjatë një takimi me strukturat drejtuese të LSI-së në Durrës u shpreh se opozita është në këtë betejë betejë jo për poste e karrike, por për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e çdo shqiptari

Kryemadhi, tha se kauza e opozitës është e drejtë dhe ka mbështetjen e pjesës dërmuese të shqiptarëve. Në vijim ajo tha se qëndrimet e LSI-së janë larg populizmit e fjalëve boshe, pasi siç tha ajo, kanë përgjegjësi para shqiptarëve për çdo gërme të angazhimeve.

Pjesë nga fjala e Kryemadhit në Durrës

Falenderoj të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e LSi që bojkotuan votimet moniste të 30 qershorit, pavarësisht presionit kriminal dhe trysnisë së pushtetit me bukën e gojës dhe vendin e punës.

LSI është partia e fjalës së mbajtur, e energjisë rinore, e punësimit dhe shanseve të barabarta. Strukturat e LSI të angazhuara plotësisht në të gjithë vendin

Muaji korrik dhe gusht, jo muaj pushimi, por pune të plotë për zgjedhjet. Në këtë betejë jemi, jo për një zgjidhje të momentit për klasën politike, por për ndryshimin e sistemit për të tashmen dhe të ardhmen e shqiptarëve

Votimet e Rilindjes së 30 qershorit u refuzuan në mënyrë plebishitare nga shqiptarët. Sot kemi një KQZ qesharake, ende nuk ka një rezultat zgjedhjesh.

Çdo ditë e kësaj qeveria në pushtet thellon varfërinë dhe skamjen e shqiptarëve. Çdo ditë në pushtet e Edit shoqërohet me një mega korrupsion. Në një javë dy skandale që e rrisin çmimin e naftës me 25 lekë për litër.

Askush të mos mendojë që mund të gëzojë djersën, mundin dhe gjakun e shqiptarëve me kontrata korruptive. Bujqësia drejt kolapsit dhe pa këtë rritje të frikshme të naftës

Rritja e çmimit të naftës nga dy aferat korruptive të Ramës do prekin jo vetëm xhepat e shqiptarëve, por do kenë edhe pasoja negative në gjithë ekonominë.

Për dy oligarkë, do dëmtohen dhjetra eskportues dhe mijëra prodhues në bujqësi. Jemi në këtë betejë për të zhbërë të keqen që ka çuar në 35% numrin e qytetarëve që jetojnë nën minimumin e varferisë. Investimet e huaja janë bërë si përrallë nga e kaluara.

Raporti i DASH një epikrizë për së mundjen e ekonomisë së vendit. LSI ka një program shumë të qartë për nxjerrjen e vendit nga kriza ku e ka futur Rilindja.

Kapja e ekonomisë në pesë duar po largon edhe biznesmenët shqiptarë nga vendi.