PS kërkon shkarkimin e Arben Malajt nga BSH: Kritikoi Ramën!

Partia Socialiste pritet të shkarkojë ish-deputetin e saj, Arben Malaj nga Bordi i Bankës së Shqipërisë.

Deputetët e Partisë Socialiste kanë mbledhur 28 firma, me anë të të cilave kërkojnë që Arben Malaj të lirohet nga posti i anëtarit të Bordit të Bankës së Shqipërisë. Në letrën e firmosur nga socialistët theksohet se Arben Malaj ka kryer shkelje etike në daljet publike, për këtë arsye ai nuk mund të jetë më pjesë e Bankës së Shqipërisë.

Në kërkesën e PS thuhet se “Malaj ka shkelur etikën”, por cila është e vërteta? Arben Malaj, ish-ministër dhe ish-deputet i PS-së ka folur javët e fundit në media për krizën politike. Si politikan me përvojë në Shqipëri dhe në PS, Malaj u ka sugjeruar ish-kolegëve që të reagojnë për krizën në të cilën ndodhet vendi.

Gjithashtu, Malaj ka folur dhe për rreziqet që po i kanosen ekonomisë së vendit nga kriza politike, koncesionet e pa studiuara dhe vendimet e qeverisë “Rama”. Të gjitha këto reagime të përgjegjshme nga ana e një eksperti të ekonomisë, si dhe një ish-deputeti të rëndësishëm të PS, socialistët i kanë cilësuar si thyerje të etikës.

Kërkesa e deputetëve socialistë më shumë se shqetësim për etikën është formë e re censure dhe sinjal që u jepet gjithë socialistëve të tjerë nga Edi Rama.

Punët po shkojnë kaq keq në mazhorancë sa do pendohemi të gjithë, edhe vetë socialistët.