Prokurorët që nuk u bënë pjesë e listës së SPAK

Këshilli i Lartë i Prokurorisë publikoi sot listën me 15 kandidatët e përzgjedhur në fazën e parë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme. Në listën e bërë publike, vihet re përjashtimi nga gara e drejtueses aktuale të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, si dhe te ish-kreut të kësaj Prokurorie, Besnik Hajdarmataj.

Emra të tjerë në listën e prokurorëve që nuk u kualifikuan për fazën finale të SPAK janë edhe Dritan Prençi me Vladimir Marën, të cilët u skualifikuan për të shkak se kishin dorëzuar doje ende nën hetim, ndërkohë që rregullorja përcaktonte se në shqyrtim do të merreshin vetëm dosjet e mbyllura.

Fakti që këta prokurorë nuk u bën pjesë e listës me 15 kandidatë për SPAK, nuk i përjashton ata nga sistemi, por do të vijojnë të jenë prokurorë për sa kohë janë konfimuar apo do të konfirmohen nga procesi i vetting-ut.

Lista përfundimtare në bazë të pikëzimit, pritet të shpallet nesër. Por sipas gjasave, jo të gjithë prokurorët në listë plotësojnë kriteret. Në këto kushte KLP do të rihapë garën për kandidatët e rinj deri në formimin e strukturës me 15 prokurorë.