Pro Shqipërisë, Ursula von der Leyen zgjidhet Presidente e KE

Ursula von der Leyen ka marrë votat e nevojshme për të qenë Presidentja e re e Komisionit Europian. Për të janë regjistruar 383 vota. Kështu ajo bëhet gruaja e parë në botë që merr këtë post. Për të marrë këtë detyrë ministres gjermane të Mbrojtjes i duheshin 374 vota por ajo i ka kaluar pritshmëritë. Mediat e huaja bëjnë me dije se Von der Leyen ka marrë vota edhe nga socialistët evropian.

Më herët, ajo i ka dhënë përgjigje pozitive një prej kërkesave të grupit S&D, për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Von der Leyen është shprehur se si kryetare e Komisionit Europian, do të mbështesë hapjen e negociatave për dy shtetet ballkanike.

Përpara votimit, Ursula Von der Leyen u shpreh para eurodeputetëve se për të ishte e rëndësishme vetëm forcimi i Evropës dhe ai që do të dobësojë Unionin do të gjejë tek ajo një armike të fortë. Ajo do të zëvendësojë në këtë post Jean Claude Juncker.