Pjesë e një bande dhe prostitucion, kapet fieraku i dënuar në Itali

Policia e Vlorës ka arrestuar një person të shpallur në kërkim ndërkombëtar për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe prostitucion.

Në pranga ka rënë 40-vjeçari E. F., i cili pritet të ekstradohet drejt Italisë për llogari të drejtësisë fqinje.

Njoftimi i policisë:

Vijon puna për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar. Vihet në pranga një shtetas me qëllim ekstradimi drejt Italisë.

Arrestohet provizorisht 40 vjeçari E. F., lindur në Fier dhe banues në Vlorë, për veprat penale “Organizatë kriminale, shfrytëzim prostitucioni dhe skllavërim”.

Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Interpol Tirana, kanë bërë kapjen e 40 vjeçarit në qytetin e Vlorës duke e vendosur para përgjegjësisë penale si më poshtë:

Autoritetet gjyqësore italiane konkretisht Gjykata e Milanos Itali, me anë të një vendimi në vitin 2005, e ka dënuar shtetasin E. F me 6 vite burgim për veprat penale “Organizatë kriminale, shfytëzim prostitucioni dhe skllavërim” parashikuar nga nenet 99, 81, 110, 602 dhe 416 të Kodit Penal Italian.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprime të mëtejshme.