PD e Korçës: Rama mashtroi se shtëpitë e dëmtuara do të ndërtohen

Dega lokale e PD-së në Korçë, po ndjek me shqetësim situatën dhe problematikën e dhjetëra familjeve në fshatin Floq, të cilat mbetën të pastreha nga tërmetet e qershorit. Përmes një deklarate për mediat, PD-ja thotë se edhe sot, pas 6-të javësh, banorët e prekur nga tërmeti, janë në mëshirë të fatit sepse kanë fatin e keq, të qeverisen nga ata, që zhvatin pa turp dhe limite, sidomos më të dobëtit më të pamundurit.

Deklarata e plotë

Sot banorëve të Floqit nuk u mungon vetëm shtëpia. Me shumë se kaq, u mungon dëshpërimisht shpresa se një ditë të afërt do të kthehen në rrjedhën normale të jetës. Më të dëshpëruarit mes tyre janë ata që fatkeqësia i çoi të besonin për pak, përrallën kryeministrore se deri në shtator do të përfundonte rindërtimi i të gjitha shtëpive.

Në fakt e gjitha nuk ishte asgjë më shumë se propagandë cinike dhe çnjerëzore që bashkia e Korçës po përpiqet ta mbulojë me  llaçin që po hedh mbi ca oxhakë nëpër lagjet e qytetit. Se për një kryetar bashkie, si Sotiraq Filo i refuzuar masivisht në monovotimet e 30 qershorit,që shpërdoron miliona euro për kulla, qytete imagjinarë fëmijësh,qendra të kulturës dhe artit ndërplanetar është normale që ndërtimin e shtëpive nuk e nis nga themeli por nga oxhaku.

E vërteta është  se në Floq nuk ka filluar dhe as ka gjasa të fillojë rindërtimi i shtëpive. Dhe po të fillojë, vetëm nëse shtëpitë janë prej kartoni, ndërtimi i tyre,mund të përfundojë deri në shtator. Siç thuhet pritet që një fondacion i huaj do të nisë ndërtimin e njëres nga 67 shtëpitë plotësisht të shkatërruara në Floq. Por vetëm kaq! Shteti dhe bashkia nuk duken askund! E vërteta është se nuk  po bëhet asnjë lloj transparence,se ku dhe si do të gjenden fondet për faturën prej 2.1 miliard lek që është më e kripur se gjiza e baxhove që Filo dhe Rama provuan gjatë fundjavës.

Dega lokale e PD të Korçës i bën thirrje kreut te bashkisë, të ushtrojë përgjegjësinê që ligji i ngarkon, deri në përfundim të mandatit aktual,për përshpejtimin e proćesit të rindërtimit të shtëpive në Floq dhe fshatra të tjerë të kësaj bashkie, pa ardhur vjeshta! Zoti Filo! Ndërsa ti i kalon ditët e nxehta në tavolina relaksi me deputetët, të promovuar dje nga hiçi dhe sot, të rënë nga vakti, në shkollën e Floqit mbi 80 burra, gra, të moshuar, invalidë dhe foshnja të sapolindura, mbijetojnë mes bashkëjetesës kolektive, mungesës së ujit dhe kushteve më minimale të higjenës.