“Marshimi i fitores”, Ambasada e Turqisë kujton 3-vjetorin e grushtit të shtetit

Ambasada e Turqisë në Tiranë organizoi një marshim përkujtimor me rastin e 3-vjetorit të grushtit të shtetit në Turqi.

I emërtuar si marshimi i fitores së demokracisë nisi në sheshin “Nënë Tereza” dhe më pas të pranishmit u drejtuan tek liqeni artificial me flamuj e pankarta në duar.

Duke e quajtur tentativë tradhtare të FETO-s, ambasadori turk në Tiranë, Murat Ahmet Yoruk tha se organizata e Fetullah Gylen vazhdon praninë e saj në Shqipëri.

Murat Ahmet Yoruk: Anëtarët e FETO-s duke fshehur qëllimet e tyre të vërteta ashtu si kanceri depërtojnë në të gjitha indet e vendeve ku ndodhen. Ata shtinë në dorë institucione të tilla si të sigurisë, gjyqësorit, ushtrisë, si dhe median dhe botën e biznesit. Me konceptet e tyre perverse ata përpiqen të kontrollojnë vendet ku ndodhen. Deri tani në 22 vende i është dhënë fund veprimtarisë së shkollave të lidhura me FETO-n dhe në 19 vende këto shkolla tashmë administrohen nga fondacioni turk Marif. Edhe në Shqipëri shkollat e fondacionit Marif kanë filluar me sukses veprimtarinë e tyre.

Marshimi në të cilën morën pjesë personalitete të njohura të artit politikës dhe kulturës në vend përfundoi me inaugurimin e një pllakate me 251 emrat e dëshmorëve të rënë gjatë grushtit të shtetit të vitit 2016.