Lleshaj bën njoftimin e rëndësishëm, për ata që iu skadon pasaporta

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka bërë njoftimin e rëndësishëm për të gjithë ata qytetarë, që iu skadon karta e identitetit dhe pasaporta në fund të vitit.

Ministri iu bëri thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë kohën dhe të pajisen me mjetet identifikuese, pasi pas muajit tetor qytetarët mund të udhëtojnë me pasaportën që skadon, por duke pasur një dokument që vërteton se ka aplikuar për një pasaportë të re.

Lleshaj tha se janë mbi 1 milion karta identiteti dhe pasaporta qytetarësh që pritet të skadojnë në fund të këtij viti.

“Gjej rastin edhe njëherë t’i ftoj të gjithë qytetarët të aplikojnë për t’u pajisur me kartën e identitetit dhe pasaportën biometrike, ende sa ka kohë, sa sportelet janë të lira për arsye se shumë shpejt ne do të ndërmarrim masa shtesë që do të thotë, ne do t’i kushtëzojmë përdorimin e dokumenteve aktualë, megjithëse janë ende në fuqi, me aplikimin.

Do të thotë që në një periudhë të caktuar, e cila do të shpallet, besoj nga muaji tetor, nëse dikush do të tentojë të udhëtojë jashtë shtetit me një pasaportë, të cilës i mbaron afati në dhjetor, nuk do të mund të udhëtojë pa pasur bashkë me pasaportën që skadon, edhe një dokument që vërteton që ai e ka bërë aplikimin për pasaportën e re. Po kështu shërbimet që lidhen me kartën e identitetit, nuk do të ofrohen nëse karta nuk shoqërohet me një dokument që provon se qytetari e ka bërë aplikimin për të renë. E gjitha kjo bëhet për t’i kujtuar qytetarët që 31 dhjetori është afati i fundit, por nuk mund të prodhohen të gjitha kartat në datën 31 dhjetor! Do të duhet që gjithë kjo kohë, përpara datës 31 dhjetor të shfrytëzohet nga çdo qytetar në mënyrë që të evitojmë radhët, stresin dhe të gjitha problemet që lidhen me këtë çështje”, tha Lleshaj.