Lerda: S’jemi për turizëm në Baku, luajmë shanset tona për kualifikim

Barazimi pa gola në ndeshjen e parë i jep të drejtën trajnerit të Partizanit, Franco Lerda që të besojë te kualifikimi në Champions League ndaj Qarabag-ut. Strategu italian doli sot në konferencën për shtyp në ambientet e “Dallga Arena” në Baku, ku nesër do të luajë ndeshjen e kthimit të eliminatoreve të Champions Leagues, përballë azerëve të Qarabag. Lerda konfirmoi se Partizani nuk ka shkuar për shëtitje në Azerbajxhan dhe se është gati për të luajtur shanset e tij për kualifikim, pavarësisht emrit të kundërshtarit.

Mediat në Shqipëri kanë raportuar se jeni përgatitur edhe për gjuajtjen e 11-metërshave…

11-metërshat janë pjesë e rregullores së lojës, nuk është se e vendosim ne. Nëse ndeshja do të përfundojë 0-0, është edhe kjo mundësi, penalltitë, ndaj kemi të drejtë të përgatitemi edhe për këtë.

E prisni një kualifikim nesër ndaj Qarabag?

Këtu nuk kemi ardhur për turizëm. E kemi të qartë që do të jetë shumë e vështirë për ne, e dinim dhe e dimë. Kemi luajtur një pjesë të parë në Tiranë, tani do të luajmë të dytën. Do të përpiqemi të luajmë pjesën tonë në mënyrën më të mirë.

Te cila skuadër mendoni se presioni do të jetë më i madh, pasi mediat në Shqipëri deklarojnë se presioni do të jetë mbi lojtarët e Qarabag?

E kemi deklaruar që ne kemi shumë respekt për Qarabag-u. Nuk kemi ardhur këtu për të bërë thjesht një shëtitje, do të kërkojmë me forcat tona, me mundësitë tona, të bëjmë ndeshjen tonë, sepse si në jetë, ashtu edhe në futboll, mund të ndodh gjithçka. Qarabag është një skuadër me një buxhet shumë herë më të madh se ne dhe do të luajnë siç edhe bënë në Tiranë, por edhe ne do të përpiqemi të interpretojmë ndeshjen në mënyrën më të mirë. Askush nuk ka deklaruar nga ne, që vijmë të sigurt për kualifikim.

Sipas mendimit tuaj Qarabag është një skuadër e fortë siç e prisni?

Qarabag është konfirmuar ajo skuadër që unë kam parë dhe kam vëzhguar. Është ajo skuadër e konfirmuar edhe përgjatë edicioneve të kaluara ku është përballur edhe me ekipe Italiane si Roma. Është një skuadër e fortë e cila ka mjaft kualitete në ekip. Në mesfushë dhe sulm ka lojtar shumë të fortë sidomos kur luajnë një për një me kundërshtarin. Për mua Qarabag është një konfirmim i atij ekipi që e dija.