Kroacia mohon përdorimin e forcës gjatë kontrollit kufitar

Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, tha se policia kroate po vepron ligjërisht dhe në mënyrë njerëzore, gjatë kontrollit të kufirit shtetëror në parandalimin e emigracionit të paligjshëm. “Mjetet e detyrimit ndaj atyre që shkelin ligjin bëhet në masën më të ulët”, theksoi ajo.

Të hënën organizata Human Rights Watch (HRW), i ka dërguar presidentes së Kroacisë, një letër, në të cilën kërkon që Kroacia duhet të ndalë menjëherë kthimin e migrantëve dhe azilkërkuesve në Bosnje dhe Hercegovinë

HRW dhe organizata tjera, përfshirë UNHCR-në dhe Këshillin e Evropës, kanë raportuar rregullisht për rritjen e shqetësimeve për dhunën e zyrtarëve kroatë ndaj migrantëve në kufirin me Bosnjën.

“Zagrebi duhet t’i japë fund dëbimit të paligjshëm dhe dhunës kundër migrantëve në kufijtë e saj”, tha Lydia Gall, hulumtuese e lartë për Ballkanin në Human Rights Watch.