Krejt krimi i organizuar dhe mafia politike po hetojnë Presidentin

I gjithë llumi politik i mazhorancës, duke futur edhe disa deputetë pa pikë intelekti nga opozita e re, në bashkëpunim me krimin e organizuar, me disa oligarkë si dhe me rrjetet më kriminale në vend janë mbledhur për të sulmuar Kryetarin e Shtetit me një komision antikushtetues dhe të zhytur vetë në krime.

Komisioni hetimor për Presidentin e Republikës ka zhvilluar dje mbledhjen e radhës, ku ka miratuar dhe planin e punës. Nisma për shkarkimin e kreut të shtetit, sepse anuloi datën e zgjedhjeve brenda kompetencave që i njeh kushtetuta, nuk ka asnjë bazë ligjore, por kjo nuk e ka penguar PS-në që të nisë një fushatë sulmesh ndaj Presidentit. Edhe dje në komision socialistët nuk e kishin të qartë sesa e paligjshme është ajo që po bëjnë, madje më saktë kriminale. Për të shpëtuar veten nga kjo nismë e paprecedentë dhe antikushtetuese, një pjesë e deputetëve kërkuan që të marrin ekspertizë të huaj për hetimin e kreu të shtetit. Varianti që u miratua është ai i pyetjes së Komisionit të Venecias, si institucioni ndërkombëtar më i specializuar në interpretimin e Kushtetutës. Në këtë rast, ka jo pak detaje që mbetën pa u sqaruar. Kush do e pyesë Komisionin e Venecias dhe cilat do të jenë pyetjet që do t’i dërgohen. Sepse dhe përgjigja dhe rekomandimi i Komisionit të Venecias do të bazohet në formën që do t’i dërgohen pyetjet. Por shumica e deputetëve nuk e kanë idenë se çfarë po bëjnë ligjërisht. Ajo që dinë është se kanë marrë një urdhër politik nga kryeministri dhe me njëri-tjetrin janë në garë se kush do të jetë më i zellshëm në sytë e Edi Ramës.

Por kush janë njerëzit që kanë marrë përsipër të hetojnë dhe kërkojnë shkarkimin e Presidentit të Republikës. Sekretari i PD-së për Çështjet Ligjore, Çlirim Gjata në një deklaratë për mediat ka renditur dje emrat e disa prej deputetëve kryesorë të këtij komisioni hetimor, të cilët duhet të ishin vetë nën hetim. Gjata u ndal që te kryetari i këtij komisioni, Ulsi Manja duke risjellë në vëmendje përfshirjen e tij në manipulimin e zgjedhjeve në Dibër dhe publikimin e përgjimeve nga gazeta “Bild”. “Ulsi Manja i dosjes 184, që Zoti e ruajtë me ç’kanë dalë nga përgjimet e Bild-it, ku mjafton lidhja e tij me bandat e Dibrës, me shefa komisariatesh, me drejtorë arsimorë, e me turli lloj të tillë, të organizuar në krim, për të vjedhur dhe për të blerë vota. Ky njeri pra, do të hetojë dhe do të vendosë për shkarkimin e Presidentit të Republikës”,- deklaroi dje Çlirim Gjata. Ndërkohë emrat e deputetëve të tjerë që Edi Rama u ka besuar hetimin e Presidentit nuk bien më poshtë sesa Ulsi Manja kur flitet për përfshirje në afera të pahetuara. “Për presidentin e republikës do të vendosë Jurgis Çyrbja, përfaqësues politik i Bandës së Shullazit, që i thoshte Shullazit se “po na bëjnë hetime” dhe i kërkonte që të ndërhynte për të ndaluar hetimet. Një tjetër që do të vendosë për presidentin e Republikës është Rrahman Rraja. Të gjithë e dimë skandalin e tij të fundit. Do të vendosë Luan Harusha, përfaqësuesi i Bandës së Shkodrës, apo Damian Gjiknuri, që do të pastronte 30 milionë euro për llogari të Edi Ramës, duke falsifikuar dokumente zyrtare të qeverisë amerikane”,- deklaroi dje Sekretari Ligjor i PD. Kërkesa për shkarkimin e një kryetari shteti bëhet për herë të parë në Shqipëri. Një proces i tillë, pavarësisht budallallëkut politik të mazhorancës, më e pakta duhet të kishte deputetë që nuk janë përfshirë në afera. Ndërkohë emrat që ka përzgjedhur Edi Rama, edhe nëse nuk e dimë nëse janë fajtorë, më e pakta duhet të ishin vetë nën hetim për korrupsion, bashkëpunim me krimin dhe vjedhje të votave.
I gjithë llumi politik i mazhorancës, duke futur edhe disa deputetë pa pikë intelekti nga opozita e re, në bashkëpunim me krimin e organizuar, me disa oligarkë si dhe me rrjetet më kriminale në vend janë mbledhur për të sulmuar Kryetarin e Shtetit me një komision antikushtetues dhe të zhytur vetë në krime.
Mili Xhani