Koço Kokëdhima: Kërkesa për shkarkimin e Arben Malajt, politike dhe hakmarrje

Kryetari i partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, dënoi sulmet e qeverisë ndaj ish-ministrit të PS-së dhe tashmë anëtar të Bordit Drejtues të Bankës së Shqipërisë, Arben Malaj.

Duke reaguar për kërkesën e grupit të PS-së për shkarkimin e Malajt, pas disa kritikave ndaj qeverisë dhe bashkisë së Tiranës, Kokëdhima u shpreh se ajo është shprehje e kapjes së plotë të PS-së nga Rilindja, që nuk e duron mendimin ndryshe jo vetëm në PS, por edhe te institucionet e pavarura dhe i bëri thirrje kryeministrit që të tërhiqet:

“Kërkesa për lirimin e Arben Malajt nga posti i anëtarit të Bordit të Bankës së Shqipërisë, shprehje e kapjes së plotë të PS-së nga Rilindja. Tashmë ajo nuk e duron mendimin ndryshe as në institucionet e pavarura. Iniciativa e deputetëve të Rilindjes për shkarkimin e Malajt, është tërësisht politike dhe hakmarrje e verbër e kryeministrit. E ftoj këtë të fundit të heqë dorë menjëherë nga ky akt i turpshëm!”- u shpreh Kokëdhima.