Denoncimi i banorëve të Çervenit: Ushtria la punimet përgjysmë, 1 km rrugë llucë e baltë

Kjo është rruga e fshatit Çerven të Fierit, në njësinë Frakull, vetëm 1 km larg rrugës nacionale Fier-Vlorë.

Banorët denoncojnë se prej 10 muajsh po përballen me këtë situatë. Siç thonë atë, në shtator-tetor të 2018 bashkia në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes kishin ndërhyrë për të ngritur rrugën si argjinaturë për të penguar përmbytjet që shkakton lumi Vjosë.

Por prej dy muajsh, forcat e ushtrisë së bashku me mjetet janë larguar, duke lënë përgjysmë punimet.

Banorët thonë se sa herë ka shi i mbulon balta, ndërsa në kohë me diell i mbyt pluhuri.

“Ne këtë rrugë prej 1 km e përshkojmë disa herë në ditë për hallet e problemet tona sepse është e vetmja rrugë që na lidh me qytetin dhe me fshatrat përreth” thotë banori denoncues.

E vetmja mënyra sesi mund ta përshkosh atë rrugë në kohë me shi është vetëm, traktori.

Banorët kërkojnë të mbyllen punimet ose të paktën të hidhet zhavorr në rrugë që të shpëtojnë nga balta.