Basha: Me Presidentin Meta folëm për 13 tetorin, zgjedhje për njerëzit

Mëngjesin e sotëm, kreu i PD-së, Lulzim Basha u prit nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta. Pas takimit edhe me aleatët, në një komunikim me mediat, Basha tha se është njohur nga Kreu i Shtetit me qëndrimin për të organizuar më 13 tetor zgjedhje lokale, të përgjithshme dhe presidenciale.

”Duke vlerësuar maksimalisht qëndrimin e presidentit, i kam bërë të ditur se zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë për njerëzit dhe jo për partitë dhe aq më pak për oligarkët. Në këtë funksion opozita është e gatshme të ndërmarrë çdo hap për t’u garantuar shqiptarëve të drejtën e votës”, tha Basha.

Ekonomia do të jetë fokusi i ri i opozitës, pasi siç tha edhe vetë Basha, beteja për votën e lirë dhe demokracinë i kanë krijuar hapësirë Qeverisë “që të grabisë shqiptarët”. ”Kemi diskutuar për emergjencën ekonomike ku ndodhet vendi sepse një nga mëkatet më të mëdha, një nga fajet më të mëdha të kësaj bande që na qeveris është se duke tërhequr opozitën në betejën parimore për demokracinë dhe votën e lirë, ia ka dalë t’i vërsulet Shqipërisë dhe buxhetit të saj, të grabisë qytetarët”.