Albana Osmani flet për herë të parë për largimin nga Top Channel

Siç mund ta keni lexuar, prej pak ditësh përflitet për një largim të Albana Osmanit nga Top Channel, televizion ku punoi për gati 15 vite.

Ndonëse moderatorja nuk pranoi të prononcohej, në pyetje-përgjige me ndjekësit në Instagram, pothuajse konfirmoi gjithë çfarë tha pak ditë më parë.

“A janë të vërteta këto që kanë shkruar portalet së fundmi?” e pyet dikush Osmanin.

“Unë them gjithmonë ‘mos u merrni me llafe’. Njerëzit e mëdhenj janë ata që bëjnë diferencën nisur nga gjëra të vogla. Unë çmoj profesionistët dhe njerëzit besnik përreth meje” u përgjigj ajo.

Dje, me rastin e 15-vjetorit, Digitalb organizoi një koncert në sheshin “Skënderbej” ku përpos artistëve që performuan, një zonë VIP ishte rezervuar për të gjithë figurat e njohura të Top Channel dhe Digitalb, ku siç duket Albana nuk qe e pranishme.

“I uroj shumë suksese. Histori e shkruar,” ishte komenti i saj në lidhje me pyetjen “pse s’je te koncerti Digitalbit”.

“Platforma që mblodhi bashkë gjithë shqiptarët. Gëzohem që isha një dritë e llampës së madhe që foli shqip kudo. Suksese më tej!” shtoi ajo.

Sikur të mos mjaftonin, dikush e pyeti moderatoren në mënyrë më të drejtpërdrejtë për largimin nga Topi, ndërsa ajo foli për “sfida të tjera përpara”.

“Unë qëndroj në statusin më të lartë në botë. Jam fëmijë i Perëndisë së gjallë. Atij i jam mirënjohëse për talentet, dhuratat dhe mundësitë për të realizuar çdo ëndërr timen me punë, energji dhe gëzim. Personalisht më pëlqejnë shumë sfidat ndaj jam gjithmonë gati për gjëra të bukura! Ka kaq shumë përpara dhe jam e lumtur!”

Gjithashtu Albana u shpreh se përsa i përket rikthimit me një emision, “po shqyrton propozimet dhe ato që ka propozuar”. Sipas saj, rikthimi do të jetë së shpejti dhe do të ketë surpriza.