Vasili: Edi Rama po rrëmben dhe floririn e shqiptarëve

Ish-kreu i deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se “i ka hequr Qeverisë të drejtën që të vendosë, si deri më sot, për mallrat e grupit A ku është ari pjesë kryesore e tyre dhe ka ligjëruar rrëmbimin në grushtin e tij”.

Referuar ndryshimit që i është bërë ligjit të Rezervave Materiale të Shtetit, Vasili i drejton disa pyetje Ramës, që sipas tij, duan përgjigje.

Në vijim deklarata e plotë e Petrit Vasilit

Parlamenti i Edi Ramës ka votuar ndryshimin e një pike të vetme në ligjin e Rezervave Materiale të Shtetit, pikërisht nenin 10.
Me këtë ndryshim kryeministri ia ka hequr Qeverisë të drejtën që të vendosë, si deri më sot, për mallrat e grupit A ku është ari pjesë kryesore e tyre dhe ka ligjëruar rrëmbimin në grushtin e tij.
Në një relacion skandaloz shpjegues të qeverisë, që shoqëroi ligjin thuhej se: Kjo bëhej, që këto blerje të kryheshin me shpejt, pra të mos vonoheshin nga mbledhjet e qeverisë dhe se hierarkia e akteve të tjera e kërkonte.
Ky mashtrim është sa bajat aq edhe provon qëllimet e errëta personale të kryeministrit në këtë aferë.

Ka disa pyetje të pakapërcyeshme, që duan përgjigje.
1. Përse këtë vendimmarrje shumë të rëndësishme të qeverisë ai e rrëmben në grushtin e tij?

2. Përse gënjen me shkakun gjoja për të bërë blerjet me shpejt, kur dihet botërisht që kryeministri e mbledh sa herë të dojë qeverinë, biles ky yni ngarkon edhe zv.kryeministrat të cilët e kanë bërë dhe e bëjnë me dhjetra herë?

3. Përse gënjejnë me hirearkinë e akteve, kur dihet, që për shkakun se grupi A përmbante mallra me peshë si ari dhe argjendi ky atribut duhet të ishte vetëm i qeverisë?

4.Ç’qëllim i errët fshihet pas këtij veprimi juridikisht të pajustifikueshëm e dënueshëm?

5. Interesin e kujt cënonte diskutimi dhe vendimmarrja e hapur në mbledhjen e qeverisë për këto mallra ku bën pjesë edhe ari e argjendi?

6. Përse nuk ka asnjë rast të përshkruar në relacion se kur na qenka vonuar apo penguar nga qeveria praktika e blerjes së mallrave të grupit A që i detyroi që t”i marrë kryeministri në grushtin e vet?

7. Përse nuk ka asnjë ndryshim tjetër as në ligj dhe as në VKM nr.1128 datë 5.08.2008 për grupet e tjera të mallrave, të cilat janë edhe ato pjesë e Rezervave Materiale të Shtetit?