Rama pranon dështimin: Po rikthehet informaliteti

Me tone të ashpra, Kryeministri Edi Rama tërhoqi vëmendjen e drejtuesve të Tatimeve për rritje të informalitetit në 6 muajt e fundit. E quajti të papranueshëm nivelin e lëshimit të kuponit tatimor apo edhe informalitetinnë tregun e punës. Më alarmante ai konsideroi mosraportimin e një numri të madh kasash fiskale. “Si mundet të pranohet sot të kemi 15 mijë kasa jo raportuese në biznese që figurojnë aktive nga 112 mijë të tilla. Kujt i kërkohet përgjegjësia çdo ditë lidhur me këtë? kush i mbulon në territor këto pika të kuqe alarmi dhe si mundet që të gdhijë dita e re, java tjetër, muaji tjetër, dhe këto pika të kuqe alarmi të mbeten të kuqe? Pse kompanitë e kasave nuk gjobiten? Ligji është i qartë për to”,- tha Rama.

Rama tha se rezultatet kanë qenë të pamjaftueshme dhe se janë vënë re fenomene korruptive në administratën tatimore. “Ka vetëm një motiv dhe anarki brenda administratës ku janë rishfaqur fenomenet e dikurshme të aktiviteteve individuale apo në grup për qëllime korruptive”,- deklaroi Kryeministri.

Rama pranoi se edhe situata politike muajt e fundit nuk ka qenë në favor të punës së administratës, por paralajmëroi edhe drejtoreshën e re të Tatimeve, Delina Ibrahimaj se do të largohet në rast të mungesës së rezultateve. “Po ky është vetëm fillimi i një procesi ndryshimesh në gjithë hierarkinë, bazuar vetëm mbi një faktor, rezultati. Rezultati ka qenë pika kyçe për drejtuesin e deridjeshëm, rezultati është pika kyçe për drejtuesen e re dhe duhet të jetë pika kyçe për çdo drejtues në çdo nivel. Është koha për të dhënë qartësisht me veprim mesazhin se informaliteti nuk do të tolerohet më tutje”,- tha Rama. Rama kërkoi kontrolle të vazhdueshme në terren, por pa ushtruar presione mbi biznesin.