Pensione me detyrim tek privati

Qytetarët do të detyrohen të paguajnë sigurime me qëllim përfitim të pensionit të pleqërisë tek privati. Skema e pensioneve do të ndryshojë përsëri. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka nisur hartimin e një dokumenti orientues.

Ndonëse kanë kaluar vetëm katër vite nga reformimi, skema shqiptare e pensioneve do të ndryshoje përsëri. Në të do të parashikohet sigurimi i detyrueshëm tek privati.

Kuvendi ka ngarkuar Autoritetin e Mbikëqyrjes Financare të hartojë një dokument orientues për zgjerimin e skemës së pensioneve private dhe me një kolonë të dytë dhe të parashikojë rregullimet ligjore për të.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare i tha ABC Neës se ka ngritur grupin e punës me përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe kompanive private pjesë e tregut të pensioneve.

Specialistët sipas AMF do të analizojnë të gjithë elementët dhe më pas do të japin opsionin e tyre për integrimin në skemën e pensioneve të kolonës së dytë dhe ndikimin që ajo do të japë.

Skema e pensioneve aktualisht ka vetëm dy kolona: të parën, që është sigurimi i detyrueshëm që paguhet në shtet dhe administrohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe të tretën që është kolona private vullnetare dhe administrohet nga fondet.

Rënia e numrit të lindjeve dhe rritja e jetëgjatësisë po shfaq pasojat në kolonën e parë ndërsa interesi i ulët i qytetarëve për t’u siguruar vullnetarisht në të tretën.

Të ardhurat që të punësuarit dhe të vetëpunësuarit paguajnë për efekt sigurimi dhe që administrohen nga Institituti i Sigurimeve Shoqërore aktualisht kapin vlerën e 99.9 miliardë lekëve ndërsa shpenzimet për pensionet deri në fund të vitit 2018 ishin 125 miliardë lekë.

Ndërsa vlera neto e aseteve në fondet e pensioneve vullnetare është sa 0.1% e PBB-së çka tregon për një pjesë minimale në të gjithë përbërjen që kanë tregjet financiare në vend.

Këta tregues kanë detyruar këtë herë Kuvendin që t’i hapë rrugë diskutimit për ndryshimin e skemës së pensioneve.

/ABC News