Meta në pritjen e Ambasadës së Egjiptit: Forcim i marrëdhënieve

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka marrë pjesë në pritjen e ambasadës së Egjiptit me rastin e Festës Kombëtare të Egjiptit duke ndarë edhe disa momente nga kjo ceremoni.

Meta shkruan se me Egjiptin kemi lidhje të veçanta historike e tradicionale duke kujtuar shqiptarin Mehmet Ali Pasha dhe veprimtarët Thimi Mitko, Andon Zako Çajupi e Aleksandër Xhuvani.
Kreu i Shtetit shprehet se jemi të vendosur për të forcuar më tej marrëdhëniet në të gjitha fushat. “Shumë i gëzuar të merrja pjesë në pritjen e Ambasadës së Egjiptit, me rastin e Festës Kombëtare të këtij vendi, me të cilin kemi lidhje të veçanta historike e tradicionale, jo vetëm për rolin e pazëvendësueshem në formimin e shtetit të Egjiptit të shqiptarit të famshëm Mehmet Ali Pasha, por edhe për veprimtarinë e patriotëve dhe atdhetarëve tanë të shquar si Thimi Mitko, Andon Zako Çajupi e Aleksandër Xhuvani, të cilët krijuan në Egjipt vatrat e para të lëvizjes kombëtare shqiptare.
Të vendosur për të forcuar më tej këto marrëdhënie në të gjitha fushat, si dy vende mesdhetare mike.🇦🇱🤝🇪🇬”, shkruan Presidenti Meta.