Pasiguri në Lezhë, kurse familjarët nuk i ndahen Zvërnecit

Paçka se jemi në mes të sezonit turistik, në plazhet e Lezhës ka ende subjekte që nuk po zbatojnë ligjin për ngritjen e kullave dhe vrojtuesit e licensuar. Njësia vendore nga ana e saj paralajmëron prishjen e kontratave me subjektet që nuk kanë marrë masa për sigurinë e pushuesve. Dy persona kanë humbur jetën në plazhet e Lezhës këtë sezon veror për arsye që lidhen edhe me mosrespektimin e ligjit për sigurinë e pushuesve.

Drejtori i Policisë, Ferdinand Mara, pohon se ende ka subjekte që nuk i plotësojnë kushtet e sigurisë. “Jo të gjitha subjektet që kanë një plazh të caktuar kanë plotësuar kushtet sipas vendimit të Këshillit të Ministrave apo dhe urdhrave të tjerë mbi rrethimin e detit me bova, vendosjen e kullave dhe personave të trajnuar të sigurisë apo dhe masa të tjera që duhet të jenë gjatë sezonit turistik”.

Nënkryetari i Bashkisë Lezhë, Enver Hafizi, ka paralajmeruar sanksione ndaj subjekteve që nuk kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në kontratën që kanë lidhur me bashkinë. “Jemi në diskutim me operatorët me vendos sanksione nëse ata nuk i vendosin brenda ditës së mërkurë kullat e vrojtimit dhe personat që merren me atë punë”. Dy persona kanë humbur jetën në plazhet e Lezhës këtë sezon veror për arsye që lidhen edhe me mosrespektimin e ligjit për sigurinë e pushuesve.

Ndyrshe nga se paraqitet situata në Lezhë, në Vlorë kemi të bëjmë me panorama pozitive. Plazhi i Zvënecit është një prej alternativave kryesore për ata kërkojnë pushime familjare në bregdetin e Vlorës. Deti i pastër dhe jo shumë i thellë, bregdeti raror, siguria dhe shërbimet e përmirësuara vlerësohen nga pushuesit në plazhin ku mbizotërojnë familjarët dhe fëmijët.

Deti është i pastër dhe jo shumë i thellë, ndërsa bregdeti i gjerë dhe ranor. Këto faktorë e bëjnë Zvërnecin zgjedhje të parë për ata që kërkojë pushime familjare në bregdetin e Vlorës. Përmirësimi i kushteve atmoferike ka shtuar ndjeshëm numrin e pushuesve nga Shqipëria apo edhe atyre të ardhur nga vendet e Bashkimit Europian ku jetojnë e punojnë të cilët po shfrytëzojnë ditët me diell. Ndërhyrja e privatëve ka përmirësuar shërbimet, ndërsa prania e vrojtuesit jep siguri. Vit pas viti, Zvërneci ka shënuar rritje të numrit të pushuesve që kërkojnë plazhet ranore dhe qetësinë në pushimet bashkë me familjen.