Made in Albania, në plazh me zetor (VIDEO)

Çdo histori është tipike ”Made in Albania”. Në Divjakë familjarët gjejnë hapësirat dhe plazhin që duan. Pranë bregut të detit kanë parkuar edhe zetorë. Rrallë ndodh të shohësh mjete bujqësore në plazh por në Divjakë, kjo është e zakonshme. Familja prej 10 anëtarësh nga fshati Karavasta e Re, prej vitesh shkon në plazh me zetor. Të gjithë bashkë, burra gra dhe fëmijë, kanë marrë nga shtëpia dyshekët dhe çarçafet, si aksesorë plazhi. “Po i kemi marrë masat, çarcaf, dyshek dopio. I marrim me vete dhe zetorin që mos na kapë dielli. Mbrapa vëmë çarçafin mos na kapë dielli”. Është bregdeti më i populluar në Divjakë. Plazhi i njohur me emrin Adriatik, konsiderohet parajsë për vendasit. Pushuesit janë nga zonat e afërta me bregdetin, ku fshati më pranë është Bedati, vetëm 5 km larg detit.