Sezoni, deti i ka marrë jetën 11 pushuesve vendas dhe të huaj

Që nga nisja e sezonit veror 2019, deti i ka marrë jetën 11 pushuesve vendas dhe të huaj, shifër e dalë nga rastet e publikuara në media nga muaji qershor e deri më tani. Viktimat kanë qenë kryesisht mbi moshën 60-vjeç por ka pasur raste edhe më fatkeqe kur deti nuk ka kursyer as moshat e reja, siç ishte rasti i 18-vjeçarit të mbytur në një nga plazhet e Lezhës apo 31-vjeçarit nga Skrapari, trupi i të cilit u gjet i mbytur në zonën e Currilave.

Sipas policisë në shumicën e rasteve vdekja dyshohet të ketë ardhur nga komplikacione shëndetësore akute por deri më tani nuk ka një raport të detajuar si nga Policia e Shtetit dhe as nga Ministria e Shëndetësisë për të sqaruar shkaqet.

Nga ana e saj zyra për mbrojtjen e konsumatorit bën përgjegjës institucionet qendrore dhe ato lokale për mungesën e rojeve bregdetare, një problem i trashëguar ndër vite. Pas vlerësimit të situatës në terren zyra për mbrojtjen e konsumatorit rendit si më të sigurta plazhet e Kavajës, si dhe pjesërisht plazhin e Shëngjinit dhe Sarandës në një kohë që në 13 plazhe të tjera nuk ka konstatuar as kulla vrojtimi dhe as jetëshpëtues.