Për një ëndje ndijimesh përshkuese, te libri “Pjergulla në kupë” e Demir Gjergjit

Nga Albert Vataj

Të flasësh për poezinë dhe shkruash për një libër poetik është një sfidë që tejkalon mundësitë e ruajtjes së atyre ekuilibrave, të cilat i mbrojnë idetë dhe parimet estetike nga kapja emocionale. Shpesh ata priren të referojnë nga pozita jokonstruktive. Gjithsesi këto qasje mbeten dashamirëse, sepse vetë poezia është ajo shpirtje kumtimi që dlirëson çdo shkakësi pendese apo fajësimi, grackë ku bien të gjithë lexues dhe shkrues, madje edhe vetë kritika. Por ne jemi të shuguruar nga postulati sipas së cilës “Poezia lindi ditën kur njeriu provoi mbi nevojën që ai kishte për tu shprehur… kësisoj ne e kemi të pashmangshme predispozitën tonë për ta mëkuar me interesim dhe përzemërsi këtë nevojë, këtë çiltërsi, këtë zëshmëri të shpirtit.  Dhe… kam vlerësuar si të rëndësishme këtë komunikim, kam pranuar dëshirplot këtë nevojë dhe zemërhapur këtë fluturim. Dhe i jam dhënë një ëndjeje dalldisëse te “Pjergulla në kupë” e Demir Gjergjit, ashtu pashmërisht i qartë dhe ngulmueshëm, i bindur se te kjo poezi, të ky poet, dallon i kjartë uni dhe nevoja e ngutshme, që ajo mbrujtje e shpirtshme për t’u shprehur dhe përjetësuar në harmoninë e gjerave rrethuese dhe gjëndjeve përfshirëse, është vetë e themelta e gjërave që poetin e mishërojnë në ndijim.

Dhe e bën këtë me një kthjelltësi dhe sinqeritet të admirueshëm, me një dlirësi dhe pamësi të blatuar në trajtat më të epërme të përjetimit dhe kumtimit lirik, me të cilën ai i ka derdhur në trajta gjithafresh shkëndijat e tij idilike të shpirtit.

Ne gjithëdijmë, se poezia ka ardhur si një shkas për të shndërruar realitetin tonë të mefshtë e apatike, në një përfshirje të potershme gjalluese, në një jetësim të vrullshëm, të tillë sa të japë këtij ngulmi çfarë i merr çdo çasti, puls dhe nevojë për ndijim. Poetët nuk kërkojnë tempuj as altare, por besim, se nëpërmjet leximit, përjetimit, zgjimit të limfës dhe magmës, të vërshojë ashtu si çdo tjetër uturimë që e përpin për ta flakëruar në eterin e matshmërisë së cakut ku pret dhe prehet sakrifikuesi një martir i asaj që beson.

Poezia e Demir Gjergjit është ai identitet i kuruar poetik dhe integritet i mëvetshëm krijues, i cili gjehet dhe shpërfaq njëjtësisht trajtat e komunikimit ndërmjet botësh të përziera në këtë shtjellë jetësimi. Kjo është e shtjelluar përmes atij teksti dhe asaj formësie, lehtësisht të përshkueshme nga fijëzat e holla të ndijimeve, me të cilin ëndja jonë deri në adhurim, e përshkon atë si një prizëm, duke e shpërbërë në një spektër jetësimi dhe dritimi të shumëllojtë.

Që në vështrimin lëvrues të librit “Pjergulla në kupë”, dallon se ke të bësh me një shpirt të aftë për të përshkënditur shkrepëtima në çdo thërrmi ku frymëmarrja e tij cek e yshtja përjetuese rrëmbyeshëm kridhet. Ai arrin që në çdo nxitje reale të kap fillin e ndijimit, me të cilin nis të end trajtat e një përjetimi të mbështjella brenda një korace fjalësh e muzikaliteti, ritmi e tingulli, si në një qasje për të krijuar gjithësinë e një ëndje, në diçkanë që shndërrohet në një gjallim që pulson në ritmin e gjërave që bashkëjetojnë me nevojën tonë për frymim, në një shtresim të epërm.

Nga poezia në poezi, libri i Demir Gjergjit dorëzohet duke të lënë një dëshirim të thekur në rikthimin e disa prej atyre shkrepëtimave dritimi, në qiellin e llamburitur të natës, të cilat shkëlqejnë më fort. Lexon dhe jeton me poezinë, me vargun, me fjalën, me metaforën, me përçimin e asaj ndjesie, që të bën të përjetosh rishtaz disa kujtime, të cilat harrimi ka tentuar ti shuaj duke i hedhur në honin e asgjesimit. Ndërmendesh për çaste dhe caqe, kur fjala dhe ëmbëltimi, meditativja dhe melodiozja, pikëlluesja dhe ithtësisht e dhimbshmja, i dorëzohen behjes tuaj, që i zgjon në hukamë dhe pulson në kalamendje. Në këtë çapitje të ndrojtur hapash, të duket sikur poeti kërkon të të tregojë jo vetëm deriçkat prejnga ai hyn brenda jush, por edhe portat prejnga ti mund të shpërfaqësh ato realitete, të cilat ndonëse janë përvoja shpirtërore të poetit, mbeten kaq të gjalla dhe jetuese edhe për ju.

Ja pse poezia e Demir Gjergjit dhe gjithë shpirtbujarëve të këtij besimi, na volit si rreze, për të ngrohur syprinën e gjërave që apatia dhe ritina i kanë kaluar në një gjendje kllapitëse, për ti rikthyer ato në krahët e një përqafimi të ndezur dëshirash për gjallim. Ajo dritë poetike që bie mbi grinë e reales që na rrethvjen është dritë zgjimi, përmendje.

Te poezia e Demir Gjergjit gjejmë atë tekst që shndërrohet në përjetim, sepse është vetë perëndia e ligjërimit poetik, ajo që ka këtë shkas. Jeta na ka shndërruar në mjete, detale, instrumente, mekanizma, të cilat janë në funksion të lëvizjes së një mase, zhvendosjes së saj. Dhe poeti beh për tu dhënë frymë këtyre trajtave të shterruara nga arsyeja për tu ndjer; vlim, ritëm, puls, gjallim, shkulmim… për ta ndjerë çdo copëz të tjetërsuar të qenies, një shkas për drithërimë, dhe çdo prekje një përçim ndjenje dhe dritë, zjarri dhe dalldisjeje. Provon të ndihesh i gjallë dhe veprues, në një të tashme që ju bën të jeni motivim shtytës dhe transformues.

Poetin, si gjithë të tjerët, çdo ngucatje rrethuese e nxit. E grish çdo përpushje dhe e trand çdo rënkim. E ysht çdo bulim pranvere dhe puthja e dalldis. Çdo kujtim flakërues e çdo zemërthyerje është për të çdo lamtumirë dhe plagë që la ikja. Ai bashkohet dhe ndahet me gjërat që e thërrasin në një përjetim të hovshëm, dhe rishtaz e gjen teksa mbështillët, si në një hukamë, e kllapitet në kolovitjen e e një ninulle. Jeton poetikën e ndijimit, si një zbulesë që nxiton ta ndajë me gjithë joshjet që e lidhin me njerëzit.

Vargu dhe metafora, fjala dhe qëllimsia poetike, këndimi dhe i gjithë ai spektakël kolovitjesh të jehonave dhe tingujve, gurrojnë prej këtij kurmi krijues; të brishta dhe të bukura, të ndjeshme dhe befasuese, të gjalla dhe përfshirëse. Ai i tregon veten botës, si në një qasje të ngulmët për të shpaluar petkun e gjërave e shfletuar petalet e kundërmimeve, për të trazuar pulsin e trupave dhe ritmin e vërshimeve, për t’u parë me sytë që ndizen në yje, dhe për t’u përvëluar lotët që thahen në dihamë. Ai është në realen e të gjithëve ne, për të jetuar jetën e vet. Ai shprehshmërisht është aty për të ndjerë gjithçkanë tonën, të cilën duke e mbledhur si polen mëton për të pllenuar me të ato gjallime, që kumtohen nevojave tona për një dehje dhe dalldije përjetuese, si për atë përfshirje që zgjon.

Poezia e Demir Gjergjit është pjesë e asaj poetike që rreket të prehet në çdo ëndje dhe jetësim, si në më të lartin solemnitet. E lexojmë të gjithë atë dhe e përjetojmë secili në varësi të rrezeve të dritës që lëshon mbi të, gjithëpamësinë, me të cilën e mbështjell dhe përshkueshmërinë që përpin. Është kudo ku nevoja për të parë dhe prekur, ndjerë dhe komunikuar, është një nxitës i brendshëm, një ngulm.

Në librin “Pjergulla në kupë” të Demir Gjergji, krijimi poetik është më së shumti edhe si një ligjërim solemnitetesh të shpirtit. Si i tillë ai është si një krijesë sa e zhdërvjellët aq dhe strikte, sa e shkujdesur aq dhe e urtë. Ajo i bindët një përvoje të gjatë dhe të begatë. Është një poezi e kuruar me kujdes, ndoshta më shumë një formë shprehie si e tillë, se sa një punë cfilitëse kalkulimesh të efektit të vragut, dhe mendimit të metaforës, drejtpëshimit të dallgëzimeve të shpirtit dhe paqëtimit të shkulmit të ndijimeve.

Eluilibri i tij krijues kalon nëpërmjet një filli shumë të hollë, i cili duke përshkuar skajet e përjetimit nga një gjendje e tempit të lartë, në një prehje mëvetësimi përjetues. Ajo është një poezi që të thërret në lexim dhe ëndje. I jepemi asaj si çdo shkundullime tjetër që kërkon nga ne t’i ngasemi si një situate, një pulsimi, një përpushje. Jeta jonë në këtë kungim dlirësie është një ngulmim për përfshirje në zjarrin e jetësimeve, si në një ceremonial të ndaluar, prejnga ne duam të matim caqet e shpirtit dhe thellësinë e jehonave, që na thërrasin për të matur pafundësinë e gjithësisë, së cilës i përkasim, asaj paanësie, ku ne edhe pse ndjehemi thërrmija të papërfillshme jemi vetë realiteti i gjëmimshëm i asaj ngjarje që tek ne merr kuptim. Kjo është poezia e Demir Gjergjit. Kësisoj mund dhe duhet të lexohet “Pjergulla në kupë”.