Këngëtarja kujton “sikletet” e aventurës në kroçere

Mariza Ikonomi ishte e ftuara e radhës në “Ftesë në Pesë” me Bieta Sulon, për të rrëfyer aventurën e gjatë në kroçere, të cilën ajo e cilësoi si një eksperiencë që e ka ndihmuar për të zbuluar më mirë veten.

Për gati nëntë muaj, këngëtarja udhëtoi dhe shijoi disa nga vendet më të bukura të botës, ku dhe dhuronte performanca “musical” për turistët e huaj. Mirëpo në gjithë këtë aventurë nuk kishin munguar as momentet e sikletshme për Marizën, e cila vendosi që një prej tyre ta ndante me ndjekësit e “Ftesë në Pesë”.

“Ka qenë një situatë e sikletshme, ka qenë në herët e para kur unë ende nuk isha mësuar me skenën, sepse duhet të kërceja, të këndoja, të aktroja dhe para se të dilja unë pësoja një ‘blackout’. Më dukej sikur do harroja gjithçka dhe në fakt harrova”, tha ajo duke qeshur.

“Filloi shfaqja, gjithçka po shkonte në rregull dhe unë në një moment e lashë mikrofonin në prapaskenë, me idenë që do ta merrja…e harrova dhe ishte një moment që unë duhet të këndoja. Dola, të gjithë prisnin që unë të këndoja, muzika filloi dhe unë duhet të isha duke kënduar por ndërkohë nuk kisha mikrofonin dhe kërceva”, tregoi Mariza, duke shtuar më pas se në ato momente e kishte sharë pafund veten.